MAShTI: 27 shkolla në Kosovë po zhvillojnë mësim nga distanca

27 shkolla në nivel vendi janë duke vijuar mësim online apo nga distanca për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19.

Kështu kanë bërë të ditur për KALLXO.com nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Meqenëse ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19, disa shkolla në Republikën e Kosovës kanë kaluar në mësim online. Sipas të dhënave që dërgojnë Inspektoratet e Arsimit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit nëpër komuna ( sot ende nuk kemi të dhëna sepse janë duke u mbledhur) 27 shkolla  po vijojnë mësimin online”, thuhet në një përgjigje me shkrim.

Nga MAShTI po ashtu kanë bërë të ditur se edhe pse janë rritur numrat e rasteve me COVID-19 në shkolla, nuk është paraparë ende mbyllja e shkollave për këtë javë.

“Ju tashmë e dini se vendimet për të kaluar në mësim online e marrin task-forcat e shkollave, varësisht nga gjendja që paraqitet. Bazuar në masat e fundit që ka marrë  Qeveria e Republikës së Kosovës të cilat janë marrë ditë më parë, nuk është paraparë mbyllja e shkollave edhe për këtë javë”, thuhet më tej.

Sipas të dhënave të ditës së sotme në nivel vendi 2,707 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19. Kurse, sipas të dhënave të sotme, 981 raste me COVID-19 janë të grupmoshës 0-19 vjeç.

Sipas rregullave, nëse 5 % e numrit të përgjithshëm të nxënësve të një shkollë rezultojnë të prekur me COVID-19, shkolla kalon në sistem online.

Ministria e Arsimit ua ka lënë Drejtorive të Arsimit në komuna apo Task Forcat në nivel komune, që të vlerësojnë dhe të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor, bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla.

Viti i ri shkollor 2021/22 ka filluar me katër skenare. Skenari i ‘Rikthimit’ që parasheh mësimi të zhvillohet me prezencën fizikisht të të gjithë nxënëseve në klasë, skenari ‘A’ që nënkupton me prezencë fizike, por me orar të shkurtuar dhe nxënësit të ndarë në grupe, skenari ‘B’ në formë të kombinuar fizikisht dhe online dhe skenari ‘C’ nënkupton që gjithë mësimi të zhvillohet online përmes platformave të ndryshme.