Ministria e Arsimit propozon pushim njëjavor për institucionet arsimore

Një javë pushim në arsimin parauniversitar. Kështu ka propozuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pas një takimi ku kanë marrë pjesë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, zyrtarët e lartë të MASh, udhëheqësit e IKShPK-së, ShSKUK-së, SBAShK-ut dhe Këshillit të Prindërve.

Në takim u diskutua për zhvillimin e mësimit në kohë të pandemisë.

Sipas njoftimit, pas javës së pushimit njëjavor, nëse miratohet, do të vlerësohet gjendja epidemiologjike e do të vendoset për format më të mira të zhvillimit të procesit mësimor në periudhën në vijim.

“Nga data 22 mars 2021, të ketë pushim një javor në arsimin parauniversitar dhe në fund të kësaj jave të vlerësohet gjendja epidemiologjike e të vendoset për format më të mira të zhvillimit të procesit mësimor në periudhën në vijim. Institucionet parafillore të mos e ndërprejnë aktivitetin edukativo – arsimor. Institucionet e arsimit të lartë të mbajnë fizikisht vetëm punën praktike dhe laboratorike, ndërsa ligjëratat në lëndët teorike të mbahen online”, u tha në konferencën për media të mbajtur në ambientet e MASh, pas takimit konsultativ mes MASh-së, Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Këto propozime do t’i dërgohen edhe me shkrim Ministrisë së Shëndetësisë nga ana e MASh, në mënyrë që të merret vendim nga Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike kundër COVID-19.

“Kanë ardhur disa sugjerime që do t’i shikojmë nesër dhe do të marrim një vendim përfundimtar, sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, ka thënë pas takimit Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë.

Të gjitha palët pjesëmarrëse në takim kanë ripërsëritur thirrjen që respektohen me përpikëri masat kundër pandemisë nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.