Refuzohet caktimi i masës së paraburgimit ndaj gjyshit që dyshohet se kanosi Rrahman Jasharajn

Propozimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjyshit që dyshohet se kanosi kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharajn, është refuzuar.

Kështu ka njoftuar avokati i të dyshuarit, Tomë Gashi, në Facebook.

“Propozimi i prokurorit Blerim Igrishta për caktim të paraburgimit refuzohet” – ka thënë Gashi duke shtuar se shkollat duhet të hapen.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari, që është gjyshi i një nxënëse të një shkolle në Prishtinë, po akuzohet se qëllim të pengimit të grevës në mënyrë të paligjshme, e ka kanosur kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

“O plak, po na i lënë fëmijët pa shkollë, kam me të vra” – ishin fjalët që ai po dyshohet se ia ka thënë në drejtim të Rrahman Jasharajt.

Dosja e prokurorisë që e ka siguruar KALLXO.com thotë se i pandehuri ka tentuar ta sulmoj të pandehurin, por që ishte ndaluar nga të pranishmit.

Sipas Prokurorisë, me këto fjalë, i dyshuari ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë tek i dëmtuari, në këtë rast tek Rrahman Jasharaj.

Për këtë akuzë të prokurorisë ai është deklaruar i pafajshëm sot në seancën dëgjimore për paraburgimin e kërkuar nga prokuroria.

Gjatë një takimi mes grevistëve në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Qemali”, Rrahman Jasharaj ishte kanosur nga i dyshuari.

Zbulohet dosja e Prokurorisë – Çka i tha gjyshi Rrahman Jasharajt?