Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Refuzohet ankesa e Qeverisë kundër vendimit të Gjykatës së Prishtinës lidhur me uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Gjykata e Apelit, Departamenti për çështje administrative, ka marrë aktvendim përmes të cilit  e ka refuzuar ankesën Qeverisë së Kosovës kundër vendimit të Gjykatës së Prishtinës, vendim ky i cili kishte pezulluar vendimin e Qeverisë për ulje të pagave.

Apeli ka vlerësuar se ankesa e palës së paditur, në këtë rast Qeverisë së Kosovës, është e pabazuar.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës Qeveria e Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative…, i datës 02.12.2022, vërtetohet. ”- thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata e Prishtinës në dhjetor të vitit 2022 kishte vendosur që të pezullojë vendimin e Qeverisë për ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kundër këtij vendimi Qeveria e Kosovës kishte ushtruar ankesë mbi bazën e aplikimit të gabuar edhe jo të drejtë të dispozitave ligjore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike etj.

“Kundër këtij aktvendimi në afatin ligjor ka ushtruar ankesë e paditura Qeveria e Republikës së Kosovës të cilën e përfaqëson Avokatura Shtetërore, për shkak të: aplikimit të gabuar apo jo të drejtë të dispozitave ligjore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. Me propozim që të aprovohet ankesa e  kundërpropozuesit/të paditurës si e bazuar me ligj, dhe të prishet aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë si dhe të refuzon propozimin e propozuesit/paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit… të datës 23.11.2022 të Qeverisë së Republikës së Kosovës”- thuhet tutje në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Apeli në fund pas shqyrtimit të  shkresave të lëndës, aktvendimin e ankimuar, pretendimet ankimore, përgjigjen në ankesë dhe pas vlerësimit të tyre erdhi me përfundim që ankesa e Qeverisë është e pabazuar.

Pasi që Gjykata e Prishtinës kishte vendosur që ta pezullojë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave, kjo e fundit kishte ushtruar ankesë lidhur me vendimin e lartcekur për pezullimin e vendimit për ulje të pagave.

Gjykata e Prishtinës në fillim të dhjetorit kishte vendosur që të pezullojë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Pas pranimit të padisë nga Shoqata e Prokurorëve kundër Qeverisë, Gjykata kishte vendosur që të caktojë masën e sigurisë dhe të shtyjë ekzekutimin e këtij vendimi.

Gjykata pati aprovuar kërkesën e Shoqatës së Prokurorëve për caktim të masës së sigurisë dhe me këtë vendim ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë.

Më 29 nëntor, Gjykata e Prishtinës ka pranuar padinë që kundërshton këtë vendim.

Me këtë vendim, shtyhet ekzekutimi i vendimit deri sa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor.

Gjykata njofton se palët e pakënaqura me këtë vendim të Gjykatës kanë të drejtë ankese.

Si pasojë e këtij vendimi të Qeverisë u pezulluan punët në sistem të drejtësisë e si rezultat dështuan me qindra seanca gjyqësore.

Më 24 nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata. Ky vendim erdhi si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kthim të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve sikurse në vitin 2017.

Që nga pezullimi i punës janë anuluar dhe kanë dështuar qindra seanca gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës.

Në mbledhjen e 23 nëntorit, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017, kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri kryeministri Albin Kurti, i cili tha se pagat në sistemin e drejtësisë nuk kanë mundur të ulen për shkak se në Kushtetuese ka qenë trajtimi i ligjit të pagave.