Arsyetimi i Gjykatës së Prishtinës për pezullimin e vendimit për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Në vendimin me të cilin Gjykata e Prishtinës pezulloi vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, gjykata u thirr në Ligjin për Konflikt Administrativ.

Konkretisht u thirr në nenin që parasheh se mund të shtyhet ekzekutimi i një vendimi të një organi deri në vendimin definitiv gjyqësor.

Po ashtu gjykata si bazë ligjore për këtë vendim pati edhe Ligjin e Prokurorit të Shtetit dhe Ligjin për Gjykata, nenet të cilat rregullojnë pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe specifikon se pagat e tyre nuk mund të zvogëlohen gjatë periudhës së shërbimit të tyre.

Vendimi i bazuar në këto nene thotë se mundësia e vetme ligjore për ulje të pagave të tyre, janë sanksionet disiplinore të shqiptuara nga KPK ose KGJK.

Gjithashtu gjykata këtë vendim e bazoi edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2020, i cili thoshte se pagat nuk mund të ulen, përveç në situata të jashtëzakonshme të vështirësive financiare dhe vetëm në bazë të ligjit dhe se kriza e theksuar ekonomike e financiare duhet të jetë zyrtarisht e njohur me ligj.

Gjykata me vendimin e bazuar në dispozitat e lartcekura thekson se është vërtetuar fakti se ekzekutimi i vendimit do t’i sillte dëm paditësit ndërsa palës së paditur, në këtë rast Qeverisë ka konstatuar se nuk do t’i sillte ndonjë dëm të pariparueshëm meqë Qeveria veç se e ka planifikuar me Ligj për ndarje buxhetore pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Më 29 nëntor, Gjykata e Prishtinës ka pranuar padinë që kundërshton këtë vendim.

Me këtë vendim, shtyhet ekzekutimi i vendimit deri sa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor.

Gjykata njofton se palët e pakënaqura me këtë vendim të Gjykatës kanë të drejtë ankesë.

Si pasojë e këtij vendimi të qeverisë, u pezulluan punët në sistem të drejtësisë e si rezultat dështuan me qindra seanca gjyqësore.

Më 24 nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata. Ky vendim erdhi si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kthim të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve sikurse në vitin 2017.

Që nga pezullimi i punës janë anuluar dhe kanë dështuar qindra seanca gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës.

Në mbledhjen e 23 nëntorit, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017 kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri kryeministri Albin Kurti, i cili tha pagat në sistemin e drejtësisë nuk kanë mundur të ulen për shkak se në Kushtetuese ka qenë trajtimi i ligjit të pagave.

“Vendimi i marr paligjshëm dhe në konflikt interesi, i qeverisë së kaluar, në vitin 2017 për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar është shfuqizuar me vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 12 shkurt 2020, ky vendim ka paraparë përjashtimin nga kthimi i pagave në gjendjen e mëparshme për sistemin gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese, marrë parasysh që ishte në procedurë trajtimi nga Gjykata Kushtetuese ligji i pagave”, deklaroi kryeministri Kurti.