Takimi Apostolova, Veseli dhe Haradinaj

Reforma në administratën publike i bën bashkë Apostolovën, Veselin e Haradinajn

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli kanë pritur në takim Shefen e Misioni të BE-së, Nataliya Apostolova.

Temë diskutimi e këtij takimi sipas kryeministrit Haradinaj ka qenë finalizimi i tri ligjeve për reformat në Administratën Publike.

Haradinaj thotë se reforma në Administratën Publike duhet të përfundojë në afat optimal, prandaj edhe po zhvillohen diskutime rreth finalizimit të këtyre ligjeve.

Ai tregoi që Kosova tashmë është në procesin e finalizimit të pakos së ligjeve që i përshtaten Agjendës së Reformave Evropiane.

“Reforma në Administratën Publike duhet të përmbyllet në afat optimal. Me qëllim të përshpejtimit të procesit të finalizimit të tri ligjeve, të cilat e rregullojnë administratën publike në Kosovë, zhvilluam takim konsultativ me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe Shefen e Misionit të BE-së, Nataliya Apostolova. Institucionet e Kosovës, me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, janë në proces të finalizimit të pakos së ligjeve, që është shtyllë e funksionimit të shtetit dhe ndërlidhet me Agjendën e Reformave Europiane. RH”, shkroi ai në Facebook.