Takimi I Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike – Foto: ZKM

Yagcilar: 2018, vit i hapave të mëdhenj në fushën e administratës publike

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike, tha se kjo reformë kërkon rolin dhe efektin e secilit prej tyre në bazë të përgjegjësive që kanë.

“Është një proces i madh, kompleks, por më vjen mirë që kemi filluar të definojmë qartë se çfarë përmban dhe si do të ndodhë reforma”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ky proces njëkohësisht krijon edhe sigurinë buxhetore dhe qartëson funksionimin e administratës “sepse ka situata të padefinuara mirë”.

“Jemi të vetëdijshëm që është punë komplekse por pasi jemi seriozë duhet me e përmbyllë këtë proces”, theksoi ai.

Ndërkaq, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i cili është edhe kryesues i Këshillit Ministror të Reformës së Administratës Publike, tha se ky vit do jetë vit i hapave të mëdhenj në fushën e administratës publike.

“Ministria e Administratës Publike, ashtu siç është zotuar, në muajin qershor të këtij viti do të përcjellë në Qeveri pakon ligjore të 3 ligjeve bazike të administratës publike: Ligjin për Pagat, Ligjin për Shërbimin Civil dhe Ligjin për Organizimin e Administratës Publike”, tha ministri Yagcilar.

Sipas ministrit, prioritet i Ministrisë ka qenë bashkëpunimi i mirëfilltë me shoqërinë civile, me qëllim të ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies.

Ndërsa, Besnik Tahiri, koordinator për reforma shtetërore, tha se ekziston një vullnet i fortë politik për ta përmbyllur një reformë, e cila përfundimisht  do të normojë hierarkinë institucionale të institucioneve të Republikës së Kosovës, do t’i ofrojë statusin juridik, do të nivelizojë pagën mbi parimin për punën e njëjtë  pagën e njëjtë  dhe do të kthejë administratën  si shtyllën kryesore në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.

Ministria e Administratës Publike njoftoi se ka zhvilluar takim koordinues me donatorë të jashtëm, të cilëve u janë prezantuar nevojat dhe kërkesat e Ministrisë për mbështetjen në realizimin e objektivave strategjike për modernizimin e administratës publike.