Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shefi zyrës së BE-së: Reforma e administratës publike në Kosovë, duhet të implementohet

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovën, Tomas Szunyog ka thënë se Kosova duhet të punoj për zbatimin e reformave në administratë publike, pasi që sipas tij kjo është e domosdoshme që vendi të afrohet më Bashkimin Evropian.

“Është aprovuar një legjislacion i mirë gjatë viteve të fundit, siç ka qenë ligji për organizimin dhe funksionimin e reformës për administratë publike, pastaj Ligji për zyrtarët publik, por aprovimi i legjislacionit është vetëm hapi i parë në reformë. Reforma ka nevojë të implementohet, pa u implementuar nuk është asgjë sepse ajo mbetet vetëm në letër”, tha ai.

Szunyog në konferencën e organizuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në lidhje me Reformën e Administratës Publike në Kosovë, tha se BE do ta mbështes Kosovën në këto reforma.

“Ne si Bashkim Evropian qëndrojmë të gatshëm që t’i përkrahim këto, qëndrojmë të bashkuar në mënyrë që të arrijmë një administratë publike të zhvilluar në mënyrë që ta afrojmë Kosovën sa më afër Bashkimit Evropian”, tha ai.

Reforma në administratën publike është një nga pikat më të rëndësishme të asistencës së BE-së për Kosovën dhe bashkëpunimit me Qeverinë.

Kosova rrezikon të humbë miliona euro nga BE-ja nëse nuk i përmbush synimet për reformën në administratën publike