Apostolova: Reforma në administratë publike do të jetë e dhimbshme por e nevojshme
Lëvizja FOL ka organizuar diskutim me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, dhe ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, për etikën në administratë publike.
Nataliya Apostolova, shefe e zyrës së BE-së në Kosovë, tregoi për sfidat në reformën e administratës publike.
“Para lansimit të reformës së administratës publike në raportet për vendin nga BE-ja për progresin në Kosovë gjithmonë kishte kritika në raport. Nuk mund të ketë zhvillim të shoqërisë demokratike para se të ketë funksionim të administratës, pra para se të ndajmë pushtete duhet të dimë si është rregullimi i administratës publike. Fatkeqësisht Kosova ka një numër të madh të zyrtarëve publikë, gjithçka duhet të bëhet në mënyrë transparente në mënyrë që njerëzit që kalojnë testin të marrin pozitën”, tha ajo.
Apostolova reformën në administratën publike e konsideroi si të dhimbshme por të nevojshme për qytetarët.
“Kjo reformë është e dhimbshme por shumë e nevojshme, ndaj më duhet të falënderoj ministrin për bashkëpunimin. Në anën tjetër më duhet të theksoj se kemi pasur takime të thella me ministrin e Financave dhe kabinetin e tij si dhe me Zyrën e Kryeministrit. Për një moment ka qenë një propozim i kryeministrit për rritje të pagave, për ne ky vendim që nuk ishte i koordinuar as me BE-në dhe ishte befasi, ai destabilizon stabilitetin financiar”, theksoi ajo.
Apostolova kërkoi që të gjithë akterët të jenë të përfshirë në mënyrë që reforma të jetë e suksesshme dhe e duhur.
“Mendoj që këtu duam të kemi një vëmendje nga shoqëria civile, OJQ-të dhe sindikatat sepse kjo reformë nuk bëhet për ne dhe bëhet për popullin e Kosovës. Mendojmë që kjo është baza e kredibilitetit që administrata publike duhet ta ndërtojë jo karshi BE-së por karshi qytetarëve”, theksoi ajo.
Apostolova foli edhe për emërimet e zyrtarëve në pozita të larta, ku i konsideroi si shqetësuese disa nga to.
“Në disa emërime të caktuara ne i kemi parë me shqetësim sepse shefat e agjencive me rëndësishme që kanë të bëjnë me prona, pra këta njerëz duhet të jenë me kredibilitet, tani ka persona që janë dënuar që ka procese gjyqësore, kjo për ne është shqetësuese“, theksoi ajo.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, foli për etikën në administratën publike.
“Etika në administratën publike është një shtyllë strategjike si dhe prioritet në marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së. Masat disiplinore kundër nëpunësve ishin një kapitull i raportit që publikohen çdo vit për matjen e gjendjes në Kosovë. Vetëm 7 institucione nuk janë përgjigjur kërkesës së MAP-it për të marrë informata”, tha ministri.
Tutje ai tregoi për masat që Ministria i ka marrë ndaj nëpunësve civilë që shkelin etikën.
“Nga të dhënat gjatë 2018 duke përfshirë nivelin lokal e qendror gjithsej ka pasur 82 raste të masave disiplinore ndaj nëpunësve civilë për shkelje të etikës. 64 raste nga to ishte të rënda ndërsa 18 shkelje të lehta. Gjatë 2018 nga 82 raste ishin 7 nëpunës të gjinisë femërore dhe 75 të gjinisë mashkullore. Në lidhje me nivelin qendror pati 43 raste të nëpunësve civilë për shkelje të masave disiplinore, nga to 10 raste të lehta e 33 të rënda”, shtoi tutje.
Ministri Yagcilar foli edhe për gjendjen në nivelin lokal.
“Ndërsa në nivelin komunal në 39 raste ndaj nëpunëseve janë përfshirë shkelje të rënda, në 31 raste janë përfshire ndërsa 8 raste kanë pasur shkelje të lehta. Vendim për ndërprerjen e punës si rezultat i shkeljeve të kryera është marrë kundër 5 nëpunësve civilë”, shtoi ai.
Edhe ministri Yagcilar foli për punësimet pa merita nëpër institucione në Kosovë.
“Edhe këto çështje janë debatuar në kuadër të reformave të administratës publike, sigurisht që qëllimi është që punësimet të bëhen sipas meritës dhe sipas kërkesave të vendit të punës. Ministria gjithmonë ka qenë e gatshme të punoj me institucionet për të krijuar një administratë publike efikase dhe funksionale” theksoi ai.