GLPS: Qeveria me inflacion prioritetesh

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka mbajtur sot tryezën e diskutimit mbi temën “Sfidat në Reformën e Administratës Publike: Ku qëndron Kosova?”.

Tryeza ka reflektuar mbi pritjet dhe angazhimin institucional në zbatimin e kësaj reforme, e cila është një nga kriteret kryesore të agjendës evropiane.

Në fillim të diskutimit janë prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet e analizës së politikave me titullin: “Sistemi i politikë-bërjes në Kosovë: Një pikëpamje mbi sfidat sistematike dhe drejtimet potenciale të reformës”.

Albana Rexha, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se administrata publike përballet me sfida, kurse si gjetje tjetër këtu është përmendur mungesa e mekanizimit llogaridhënës.

“Sistemi apo administrata publike ballafaqohet me një numër tejet të madh të sfidave, duke përfshirë këtu një numër shumë të madh të institucioneve të pavarura që funksionojnë, një sistem të pa uniformuar të pagave, që do të thotë se shërbyesit civilë të cilët kryejnë punën e njëjtë, paguhen ndryshe, së treti ekziston një mungesë e rekrutimit dhe promovimit të shërbimit civil bazuar në meritë, dhe së fundi ekziston një koordinim jo efikas i politikave i cili rezulton në një numër tejet të madh të strategjive sektoriale, pra duke paraqitur një inflacion të prioriteteve të cilat në shumicën e rasteve mbesin edhe prioritete vetëm në letër”, u shpreh Rexha.

I pranishëm në këtë rast ishte edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i cili ka thënë se thënë se kjo sfidë është shoqërore dhe shtetërore dhe se rruga drejt BE-së duhet vazhduar reformat në administratën politke.

“Kosova qëndron shumë mirë dhe është mbi mesataren rajonale kur është fjala për cilësinë e kuadrit strategjik të reformës së administratës publike, efektivitetin e zbatimit si dhe monitorimin dhe raportimin në kuptimin gjithëpërfshirës. Por, kërkohet pastaj në proceset e zbatimit një përqendrim edhe më të madh”, u shpreh Ministri Yagcilar.

Venera Hajrullahu , drejtoreshë Ekzekutive në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile tha se Kosova ka pranuar mjaft ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë për zbatim të reformës në administratën publike.

“Në Kosovë nuk kemi pas të bëjmë realisht vetëm me reformim, kemi pas mundësinë ta ndërtojmë administratën publike nga fillimi, dhe kemi pas mundësinë ta ndërtojmë si duhet dhe kemi pas mjaft kohë dhe mbështetje. Pra kjo çka duhet ta themi është se nuk ja kemi dal ta kemi sot një shërbim civil, një administratë publike e cila i mjafton proceseve në të cilat është i angazhuar vendi”, u shpreh Hajrullahu.