Reagon KMDLNJ për refuzimin e shërbimit të pjesëtareve të komuniteteve në lokale

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me pretendimet se disa lokale gastronomike në Gjakovë, kanë refuzuar t’i shërbejnë pjesëtarëve të komuniteteve duke kërkuar hetime të shpejta nga Policia e Kosovës.

“Nëse pohimet publike të ministrit Krasniqi vërtetohen nga Policia e Kosovës atëherë këto raste mund të cilësohen si racizëm i kulluar apo diskriminim në baza raciale”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNJ-së, refuzimi për të shërbyer pjesëtarët e komuniteteve bëjnë shkelje të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Kosovës , si akti më i lartë juridik dhe se këto të drejta janë të garantuara me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, nga Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

“Përkundër problemeve të mëdha me të cilat është përballur ky komunitet e që përmbajtjen e kanë kryesisht të natyrës socio – ekonomike, deri më tani urrejtja apo mosdurimi ndaj këtyre komuniteteve për shkak të përkatësisë etnike të tyre nuk ka qenë e theksuar në Kosovë’, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Tutje KMDLNj-ja për bojkotimin e lokaleve që kanë refuzuar të ju shërbejnë komuniteteve ka thënë se nuk është përgjigje e duhur dhe është masë e lehtë por, sipas tyre si masë parandaluese efikase dhe e domosdoshme duhet të jetë veprimi i shpejt i ligjit.

“Nëse ky dyshim i ministrit Krasniqi vërtetohet, çdo mosveprim i ligjit do të jetë inkurajues për shkelësit e mundshëm në të ardhmën. Deklaratat publike , nëse nuk dëshmohet vërtetësia e tyre , kanë përgjegjësi për ate që e thotë , pavarësisht pozitës që e mbanë prandaj KMDLNj këmbëngul që Policia e Kosovës të hetojë rastin sepse të drejtat e njeriut nuk mbrohen me deklarime publike por mbrohen me ligj”, njofton KMDLNj.

Ministri Krasniqi apelon të bojkotohen lokalet ku nuk u shërbehet pjesëtarëve të komuniteteve