Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Krasniqi apelon të bojkotohen lokalet ku nuk u shërbehet pjesëtarëve të komuniteteve

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka cilësuar të turpshme refuzimin e disa lokaleve të gastronomisë në Gjakovë që mos t’u shërbejnë qytetarëve të komuniteteve.

“Është turp që ende në lokalet e gastronomisë në qytete të ndryshme të Kosovës, në forma të ndryshme refuzojnë t’i shërbejnë pjestarët e komuniteteve dhe bëjnë diferencime”, ka shkruar ai në Facebook.

Në lidhje me këtë KALLXO.com ka kontaktuar ministrin Krasniqi, i cili tha se një fenomen i tillë është i shpërndarë në shumë qytete në Kosovë.

“Dje ka ndodh në një lokal në Gjakovë. Është fenomen i shpërndarë në shumë qytete në Kosovës, më kanë raportuar edhe në Fushë Kosovë, edhe në Gjilan. Po ka ndodh edhe më herët, janë disa lokale sidomos në këto tri qytete që i përmenda që ndodhin këto gjana”, tha ai për KALLXO.com.

Krasniqi mes tjerash thotë se nesër do të takohet me gastronomët në Gjakovë pasi që një gjë e tillë e ka brengosur shumë.

Sipas tij lokalet të cilat bëjnë diferencime duhet të bojkotohen.