Reagon këshilltari i Konjufcës: E keni vendosur në pozitë të keqe shefin tim

5 ditë pas raportimit në KALLXO.com dhe pyetjeve të pranuara, këshilltari i kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Drilon Gashi ka reaguar për rastin e dënimit të tij për lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëshortes së tij.

Ai në mes tjerash ka deklaruar se raportimi e ka vendosur në pozitë të keqe shefin e tij, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

KALLXO.com raportoi se Drilon Gashi ishte dënuar në 2018 me vendim të plotfuqishëm për sulmin fizik ndaj bashkëshortes së tij.

Gjykata i kishte shqiptuar vërejtje gjyqësore.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Gashi ka njoftuar se në lidhje me rastin ka reaguar tashmë publikisht gruaja e tij, Teuta Mahmutaj Gashi.

Sipas Gashit, me publikimin e artikullit është vendosur në pozitë të vështirë shefi i tij, Glauk Konjufca.

“E keni vendosë edhe shefin tim në pozite të keqe” – ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Sipas tij, ai nuk e ka goditur asnjëherë bashkëshorten e tij.

““Unë asnjëherë nuk e kam goditur gruan time me dru dhe një gjë e tillë nuk është vërtetu as në gjykatë. Ishte një zënkë familjare dhe mora vërejtje gjyqësore për këtë” – thuhet në mesazhin e tij.

“Unë sot jetoj me gruan dhe kam një jetë super të lumtur. Të dytë si bashkëshortë jemi teologë me profesion dhe jemi unik dhe të vetëdijshëm dhe jo që nuk tolerojmë dhunën dhe shkeljen e ligjit, por edhe njerëzit e tjerë në vazhdimësi i këshillojmë për edukimin e egoizmit dhe shpirtit” – ka shkruar tutje Gashi në përgjigjet e tij për KALLXO.com.

Para pak kohësh në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe vet bashkëshortja e tij, Teuta Mahmutaj Gashi.

Në një postim të gjatë, ajo thotë kjo situatë, sipas saj, u shfrytëzua për ta “goditur imazhin” e kësaj familje nga kundërshtarët e bashkëshortit të tij.

Ajo pretendon se, para 5 viteve, gjatë procesit gjyqësor, burri i saj, pranoi disa fakte, për të cila thotë se “në të vërtetë nuk ndodhën kurrë”, e sipas saj, këtë ai e bëri këtë “për të përfunduar sa më shpejt situata”.

Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, nuk kanë ofruar përgjigje për këtë çështje në pyetjet e KALLXO.com.

Këshilltari me ‘stupc’ i Konjufcës – Rrahu bashkëshorten dhe mori vetëm vërejtje gjyqësore