Reagon gruaja e Drilon Gashit: Është bërë montim i qëllimshëm dhe për hakmarrje

Teuta Mahmutaj Gashi, gruaja e këshilltarit të Glauk Konjufcës, ka reaguar pas publikimit të një aktgjykimi të Gjykatës Themelore, i cili thoshte se Drilon Gashi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj në vitin 2017.

Sipas Teuta Mahmutaj Gashit, bashkëshorti i saj u dënua me vërejtje gjyqësore pas një zënke që kishin në familje.

Kjo situatë, sipas saj, u shfrytëzua për ta “goditur imazhin” e kësaj familjeje nga kundërshtarët e Drilon Gashit.

“Burri im Driloni, aktualisht është i përfshirë në dy padi gjyqësore që për momentin po i shqyrtohen në Gjykatën e Pejës, njëra kundër përjashtimit të tij nga BIK-u dhe tjetra me E.G” – ka shkruar mes tjerash ajo në reagimin e saj në Facebook.

Më tej, Mahmutaj Gashi publikimin e këtij informacioni e ka quajtur “skenar të dyshimtë”, dhe sipas saj, nuk është bërë për mbrojtjen e interesit publik.

“..por konsideroj që e gjithë kjo bujë është një montim i qëllimshëm dhe një çështje personale për hakmarrje. Unë personalisht personin në fjalë dhe gazetat që e morën këtë lajm prej tij, do t’i padis në gjyq për cenim të privatësisë dhe dëmtim serioz të integritetit personal” – ka paralajmëruar ajo.

Ajo pretendon se, para 5 viteve, gjatë procesit gjyqësor, burri i saj pranoi disa fakte për të cilat thotë se “në të vërtetë nuk ndodhën kurrë”, e sipas saj, ai e bëri këtë “për të përfunduar sa më shpejt situata”.

“Ne nuk kemi qenë të interesuar për publikimin e kësaj historie dhe kjo na ka dëmtuar shumë neve si familje, fëmijët tanë, prindërit tanë dhe mua personalisht si individ. Trajtimi mediatik i kësaj situate private dhe personale ka qenë shumë i dhimbshëm për ne” – ka shkruar ajo.

“Disa komentues u morën edhe me shaminë time. Unë nuk pyes juve si vishem e as burrin tim për atë që do të vendos në kokën time. Unë jam e zonja e vetvetës sime dhe as atëherë e as tash nuk po kërkoj asnjë lloj ndihme nga opinioni publik, por dëshiroj që ju të dini se versioni që është publikuar nuk është i plotë dhe nuk përputhet me të vërtetën e plotë” – ka shkruar gruaja e këshilltarit Drilon Gashi.

KALLXO.com të enjten ka raportuar se këshilltari i kryeparlamentarit Konjufca, Drilon Gashi, është i dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës për lëndim të lehtë trupor ndaj gruas së tij.

Drilon Gashi është dënuar nga Gjykata pasi që më 30 dhjetor 2017, në prag të Vitit të Ri, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij me grushte dhe e kishte goditur me dru.

Ndonëse kishte sulmuar bashkëshorten e tij me grushte dhe e kishte goditur me dru, Gjykata i kishte shqiptuar vetëm vërejtje gjyqësore.

Në anën tjetër, Flamur Pireva, këshilltar politik i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë për KALLXO.com se nuk ka qenë në dijeni për rastin.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas publikimit të rastit se Drilon Gashi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ka qenë i dënuar nga gjykata për dhunë ndaj gruas së tij, besojnë se kryetari Konjufca do ta adresojë këtë çështje.

Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit nuk kanë pranuar të përgjigjen për këtë çështje.