Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Reagimi i Qeverisë së Kosovës pas vendimit të PE-së për liberalizimin e vizave

Qeveria e Kosovës ka reaguar pasi Parlamenti Evropian ka miratuar sot në seancën plenare vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në një komunikatë për media Qeveria thotë se tashmë liberalizimi i vizave është realitet dhe se nesër do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme nga PE dhe Këshilli i BE-së në Strasbourg.

“Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi”- thuhet në njoftim.

Sipas kumtesës, vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit.

“Vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit. Sipas këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen dhe atë jo më vonë se data 1 janar 2024”- bëhet e ditur në komunikatë.

Më tej, Qeveria thotë se falë punës së tyre, u arrit zhbllokimi i procesit.

“Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”- deklaron Qeveria.

“Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane”- thuhet mes tjerash në komunikatë.

Parlamenti Evropian sot i dha dritën e gjelbër vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky vendim do të shënojë njëherit edhe hapin e fundit e procesit të liberalizimit të vizave, i cili ka zgjatur më shumë se 10 vite prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Parlamenti Evropian miraton vendimin për liberalizimin e vizave