Ilustrim

Rasti i dhunimit në Gjakovë, prokuroria jep detaje

Mbrëmë një grua ka raportuar në polici në Gjakovë se ishte dhunuar në mënyrë sistematike nga një burrë.

Ngjarja kishte ndodhur para disa ditësh kur kishte shkuar te nëna e saj për vizitë.

Në lidhje me këtë rast tashmë është intervistuar një person.

KALLXO.com ka kontaktuar me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala në lidhje me rastin.

Buzhala tha se janë duke pritur ekzaminimet mjekësore të cilat priten të bëhen nga ana e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Deri më tani mund të them se jemi në proces të hetimit. Aktualisht kemi në dispozicion edhe disa raporte të tjera mjekësore në lidhje me viktimën që ka raportuar rastin por nuk mund të them asgjë për shkak të ndjeshmërisë së veprës penale”, tha Buzhala për KALLXO.com.

Në anën tjetër Kryeprokurori Buzhala përmendi edhe faktin se ankueses që kishte raportuar rastin e dhunimit, i janë bërë edhe disa ekzaminime të jashtme mjekësore të cilat deri më tani kanë rezultuar se nuk ka pasur ndonjë shenjë të dyshimtë.

Sipas Buzhalës, vijueshmëria e rastit do të bazohet në rezultatet që do të dalin nga ekzaminimet mjekësore.

Siç merr vesh KALLXO.com, gruaja ka pretenduar se i dyshuar për këtë vepër penale është një familjar i saj.

Kryeprokurori Buzhala tha se i dyshuari është intervistuar dhe është liruar në procedurë të rregullt deri sa të merren rezultatet e ekzaminimeve mjekësore.

Gjakovë, gruaja raporton se u dhunua nga një person