Ilustrim

Prokuroria në Gjakovë: E mitura u dërgua në parking, u godit me shuplakë dhe u dhunua

Prokuroria e Gjakovës ka kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurit E.N., i cili dyshohet se e ka dhunuar një vajzë të mitur dje në Gjakovë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 4 tetor 2022, i pandehuri E.N., me përdorim të forcës e ka detyruar të miturën që të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj.

Prokuroria ka thënë se i dyshuari dhe viktima paraprakisht kishin biseduar përmes rrjeteve sociale.

Tutje në njoftim të prokurorisë tregohet se ata janë takuar dhe i pandehuri me automjetin e tij e ka marrë të dëmtuarën dhe e ka dërguar tek një parking.

Aty thuhet se i pandehuri ka filluar ta prek dhe ta puthë të miturën, e më pas thuhet se e ka goditur me shuplakë dhe me përdorim të forcës e pa pëlqimin e saj ka kryer marrëdhënie seksuale.

E mitura, sipas prokurorisë ka arritur që të dalë nga automjeti dhe ta paraqes rastin në Policinë e Kosovës.

Policia, në raportin 24 orësh kishte treguar se dje gjatë ditës janë raportuar dy raste të dhunës seksuale në Gjakovë ndaj dy të miturave. 

Në njërin rast është raportuar një person i dyshuar, ndërsa në rastin tjetër janë raportuar dy persona të dyshuar.

Yllka Shehu, zëdhënësja e kësaj prokurorie kishte treguar se në rastin e fundit, ku u tha se janë dy të dyshuar, e mitura kishte raportuar në polici se ishte dhunuar dy herë. Shehu tregoi se rasti i parë të miturës dyshohet se i kishte ndodhur para gjashtë muajve, ndërsa i dyti dje.