Prokuroria në Gjakovë kërkon caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të arrestuarve për fajde

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë personave që u arrestuan gjatë ditës së djeshme në këtë rajon për fajde, përderisa dy persona të tjerë të dyshuar janë ende në arrati.

Sipas njoftimit të Prokurorisë kërkesa është bërë në Gjykatën e Gjakovës dhe pritet që gjatë ditës të mbahet seanca dëgjimore në lidhje me ketë kërkesë.

Prokuroria ka thënë se për këtë rast janë ndërmarr disa veprimeve hetimore për disa muaj dhe pas sigurimit të provave të nevojshme është realizuar edhe aksioni i Policisë së Kosovës, ku u tha se pjesë e aksionit kanë qenë rreth 90 zyrtarë policorë.

Në njoftim është thënë se nga ana e policëve është realizuar kontrolli dhe bastisja në shtëpitë dhe objektet tjera përcjellëse ndaj 7 të pandehurve duke përfshirë 10 lokacione të ndryshme në Gjakovë.

Për të ardhur deri në arrestimin e pesë të dyshuarve, Prokuroria ka thënë se janë zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, ndërsa hartimi i planit operativ i Drejtorisë Rajonale i Policisë në Gjakovë është bërë me asistimin e dy drejtorive Rajonale të Policisë në Prizren dhe Pejë.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Prokurorisë, gjatë bastisjes janë gjetur ne cilësi të provave materiale dhe sendeve të dyshuara janë sekuestruar 16 vetura, 2 motoçikleta, 5 armë të llojeve të ndryshme, USB-ja, telefona, dokumente, kontrata, regjistra, para dhe prova tjera.

Për këto prova, nga ana e Prokurorisë u tha se dyshohet se janë të përfituara me kryerjen e veprës penale të fajdesë.

Pesë persona të arrestuar për fajde në Gjakovë