13-vjeçarja dyshohet se u dhunua nga dy persona në Drenas 

Një 13-vjeçare e cila fillimisht ishte raportuar e zhdukur në Malishevë, dyshohet se është dhunuar nga dy persona të dyshuar në Drenas, më 11.03.2024. Të dyshuarit, të moshës madhore janë ndaluar nga Policia e Kosovës. 

KALLXO.com mëson nga burime brenda Policisë në Malishevë se fillimisht 13-vjeçarja ishte raportuar si person i zhdukur nga disa familjarë. 

Viktima e cila është nga regjioni i Pejës, në Malishevë kishte shkuar te disa të afërm, e më pas ishte raportuar si e zhdukur në Polici në këtë komunë. 

Me të marrë informacionin njësitet policore nisën edhe punën duke identifikuar fillimisht lokacionin e viktimës e që ishte në Drenas. 

Atje më tutje Policia kishte arritur që të identifikojë dhe arrestojë edhe dy persona të moshës madhore që dyshohet se e dhunuan të miturën

Duke pasur parasysh se e mitura është nga regjioni i Pejës, tashmë kompetencën për të trajtuar këtë rast e ka edhe Prokuroria dhe Policia atje. 

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Policisë në Pejë, Fadil Gashin. 

Ai konfirmoi arrestimin dhe ndalimin e dy të dyshuarve, ndërsa tregoi edhe detaje shtesë të punës policore për zbardhjen e këtij rasti. 

“Ajo çfarë mund të ju them aktualisht është se vajza është raportuar si person i zhdukur në Malishevë, policia nisi hetimet dhe ka identifiku lokacionin e viktimës që ishte në Drenas, tutje janë identifiku edhe të dyshuarit që e kanë kry veprën penale dhe ata janë arrestu dhe janë dërgu në ndalim”- tha Gashi. 

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se me datë 11.03.2024 e mitura është gjetur duke qëndruar në një shtëpi me dy persona të dyshuar. 

“Të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale të dhunimit ndaj viktimës”- thuhet në raportin e policisë së datës 12.03.2024. 

E mitura ka pranuar edhe tretman mjekësor ndërsa me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë. 

KALLXO.com tutje mësoi se janë konfiskuar edhe telefonat e dy të dyshuarve.