Nga 30 ditë paraburgim për dy të dyshuarit për dhunimin e 13-vjeçares

Dy të dyshuarve për dhunimin e një 13-vjeçareje në Drenas u janë caktuar nga 30 ditë paraburgim nga Gjykata e Pejës sot më 12.03.2024.

Këtë për KALLXO.com e konfirmuan dy avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare të të dyshuarve L.F. dhe D.G.

Nuhi Krasniqi, avokati i D.G., tha se i mbrojturi i tij nuk e ka pranuar fajësinë, por nuk dha më shumë detaje për të mos ndikuar në hetime.

Ndërsa, Haki Kryeziu, avokati i L.F., tha se ai është mbrojtur në heshtje.

13-vjeçarja e cila fillimisht ishte raportuar e zhdukur në Malishevë, dyshohet se është dhunuar në një fshat të Drenasit dje më 11.03.2024. Të dyshuarit, të moshës madhore, janë ndaluar nga Policia e Kosovës.

KALLXO.com ka mësuar nga burime brenda Policisë në Malishevë se fillimisht 13-vjeçarja ishte raportuar si person i zhdukur nga disa familjarë.

Viktima, e cila është nga regjioni i Pejës, në Malishevë kishte shkuar te disa të afërm, e më pas ishte raportuar si e zhdukur në Polici në këtë komunë. 

Me të marrë informacionin njësitet policore nisën punën duke identifikuar fillimisht lokacionin ku ishte viktima.

Policia më pas ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit e moshës madhore. Duke pasur parasysh se e mitura është nga regjioni i Pejës, tashmë kompetencën për të trajtuar këtë rast e ka Prokuroria dhe Policia atje. 

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se më 11.03.2024 e mitura është gjetur duke qëndruar në një shtëpi me dy persona të dyshuar.

“Të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale të dhunimit ndaj viktimës”- thuhet në raportin e Policisë së datës 12.03.2024. 

E mitura ka pranuar edhe tretman mjekësor.

KALLXO.com tutje mësoi se janë konfiskuar edhe telefonat e dy të dyshuarve.

Kolektivi për Veprim dhe Mendim Feminist ka paralajmëruar se të enjten, më 14.03.2024, do të mbahet protestë në lidhje me dyshimet për dhunimin e një vajze të mitur në Drenas.

Sipas një komunikate, protesta do të nisë nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Në një deklaratë për media, Kolektivi për Veprim dhe Mendim Feminist ka akuzuar Policinë për fshehje të rastit.