Rasti i 11-vjeçares - Shkeljet e Gjykatës Themelore sipas Apelit
Kolegji i Apelit në përbërje prej Kadrije Gogaj- Lubishtani kryetare e kolegjit,- anëtarë kanë gjetur se Vendimi i Themelores lidhur me dënimin e Ekrem Rexhepi dhe tre të miturve, G. R., G. J. dhe Xh. S. që akuzohen për dhunimin e 11 vjeçares, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të kodit të procedurës penale pasi nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për t`u konstatuar si të lexuara deklaratat e palëve në procedurë.
Kjo pasi gjyqtari i cili e gjykonte këtë rast nuk ka udhëzuar të dëmtuarën lidhur me faktin e rëndësinë e dëshmisë së sajë dhe se në Gjykatë duhet të tregohet e vërteta, kështu duke u dhënë propozimet nga palët në procedurë që të konsiderohen të lexuara deklaratat e dhëna në polici dhe prokurori.
Propozim me të cilin ishin pajtuar edhe palët e tjera në procedurë përkundër faktit se asnjëri nga të miturit dhe të akuzuarit nuk kishin qenë prezent në deklarimin e të miturës në prokurori.
Në rastin konkret konstatimi i leximit të deklaratës së të dëmtuarës është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore nga kodi i procedurës penale derisa e dëmtuara ka qenë prezent në sallë të gjykimit duke vepruar kështu në kundërshtim të plotë me parimet themelore të së drejtës së procedurës penale për dëgjimin e palëve para gjykatës. Edhe përkundër faktit se të dëmtuarës i ishte mundësuar që me rastin e dhënies së dëshmisë së saj, e njëjta të mos jetë prezent në sallë të gjykimit, në rast të ndonjë shqetësimi eventual.
Apeli ka konstatuar se Gjykata e Shkallës së parë ka vlerësuar gabimisht rolin e psikologes në procedurë penale, pasi që psikologia sipas vlerësimit të Apelit nuk është palë në procedurë dhe nuk mund të bëjë asnjë propozim lidhur me ecurinë e seancës së shqyrtimit Gjyqësor përpos vërejtjeve eventuale që mund ti ketë në parashtrimin e ndonjë pyetje nga palët në procedurë.
Sipas Apelit, psikologia nuk ka dhënë vlerësim të sajin objektiv lidhur me çështjen se a duhet të ndjek gjykimin e mitura përmes platformave digjitale apo në formë fizike por i është dhënë paraprakisht mundësia vetë të miturës të deklarohet lidhur me këtë çështje.
“Aq më tepër psikologia do duhej të ishte e informuar paraprakisht me konstatimet si në ekspertizën mjeko ligjiore, ku është konstatuar një nivel i mirë i të miturës në aspektin e formësimit të saj, e njëjta me moshën që e ka zotëron shumë mirë gjuhën angleze, çka do të thotë së nga ekzistimi i këtyre rrethanave objektive nëse nuk do të ketë ndonjë rrethanë tjetër apo rrethanë të çastit, nuk do të kishte asnjë pengesë ligjore që e dëmtuara, qoftë përmes Skype apo ndonjë mënyrë formë tjetër të dëgjimit të saj në shqyrtim gjyqësor, mirëpo që paraprakisht i i’pet mundësia që e mitura vetë të deklarohet se a ka pengesa që të jap deklaratë në sallën e shqyrtimit gjyqësor, të deklarohet dhe të jap dëshminë e saj para gjykatës”- thuhet në vlerësimin e Apelit.
Tutje në Arsyetimin e Apelit tregohet se Psikologia ka ndërhyrë gjatë marrjes në pyetje të të dëmtuarës nga ana e Prokurores dhe kjo nga ana e Gjykatës i ishte lejuar.
E njëjta madje i ka propozuar gjykatës që të lexohet një shkresë e shkruar në gjuhën angleze nga e dëmtuara me arsyetimin se e njëjta ndjehet më mirë me leximin e kësaj shkrese në këtë gjuhë ngase është më e lehtë për të dëmtuarën që të shprehet në këtë gjuhë.
Krejt kjo për t`u shkëputur nga ngjarja për shkak të traumave që ka përjetuar. Veprim ky i Psikologes që sipas Apelit nuk do duhej të lejohej, por që është lejuar.
Arsyetim ky i psikologes i cili sipas Apelit, hudhet menjëherë poshtë nga ana e të dëmtuarës pasi që shkresën që e ka lexuar në Anglisht menjëherë e ka përkthyer aty për aty në gjuhën shqipe dhe këtë rrethanë e lejon prokurorja e rastit gjatë marrjes në pyetje.
Arsyetimin e Apelit për prishjen e aktgjykimit të themelores lidhur me këtë rast mund ta lexoni duke klikuar në këtë LINK
Kujtojmë që katër të akuzuarit e këtij rasti, me 24 shkurt të këtij viti ishin dënuar me 40 vjet burgim, tre prej tyre të mitur, për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
Ekrem Rexhepi ishte dënuar me 15 vjet burg, tre të miturit, G. R. me 9 vjet burg kurse G. J. dhe Xh. S. me nga 8 vjet burg secili. Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Sh. K., mirëpo i njëjti është liruar nga akuza në mungesë të provave.
Në dhjetor të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës ngriti aktakuzë ndaj Ekrem Rexhepit, Sh. K. dhe tre personave të mitur për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje në gusht të vitit 2022.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com më 27 gusht 2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” të miturit G. J. dhe Xh. S., e kanë takuar rastësisht të miturën dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e pastaj e kanë dhunuar seksualisht.
Sipas dosjes së organit ndjekës, kur e mitura ka bërtitur të pandehurit ia kanë mbyllur gojën e kur ajo është larguar në drejtim të shtëpisë së saj, të pandehurit e kanë tërhequr dhe kapur për dore pa dëshirën e saj duke e dërguar të miturën në një livadh të njohur me emrin ”Cigllana”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit e mitur e kanë shtrirë në tokë, ku i mituri me iniciale G. J. e ka mbajtur në pjesën e sipërme të trupit gjersa Xh. S. ka vazhduar ta dhunojë, e kur është larguar ai ka filluar i mituri G. R. që të dhunojë të miturën, e gjatë kësaj kohe G. J. ka qenë duke i’a mbajtur këmbët të miturës.
Prokuroria pretendon se këtë ngjarje të miturit G. R. dhe Xh. S. e kanë incizuar dhe i’a kanë dërguar një personi duke i akuzuar ata me veprën e keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.
Nga këtu, sipas prokurorisë ngjarja ka vazhduar me njërin nga të miturit duke telefonuar të akuzuarin Ekrem Rexhepi, i cili kishte shkuar në vend ngjarje me veturën e tipit “Pickup” ku i ka marrë në veturë 3 të miturit bashkë me 11 vjeçaren, duke vazhduar rrugën drejt varrezave ku 2 të miturit kanë zbritur, e pas pak minutash më larg i akuzuari Ekrem Rexhepi edhe vetë e kishte dhunuar të miturën.
Ndërsa, këtë ngjarje prokuroria pretendon se e ka incizuar i mituri G. J. i cili pastaj i’a ka dërguar një personi videon në rrjetet e tij sociale TikTok dhe Snapchat. Me këtë prokuroria e ngarkon me veprën keqpërdorim i fëmijëve në pornografi.
Sipas aktakuzës, rreth orës 22:41, Ekrem Rexhepi ka telefonuar të akuzuarin tjetër Sh. K., duke i aranzhuar takim të njëjtit me viktimën, që më pas i’a ka huazuar veturën ku edhe i akuzuari Kameri e ka dhunuar seksualisht të miturën.
11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar në qershor dhe në gusht, për këto dy raste janë arrestuar tashmë më shumë se 10 persona, derisa shumica prej tyre janë në paraburgim.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast dhe artikujt i gjeni në këtë LINK.