Ilustrim

Rastet e dhunës në familje në 24 orë në Kosovë, arrestohen tre të dyshuar

Në 24 orët e fundit në raportin e Policisë së Kosovës janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje, në njërin prej tyre edhe armëmbajtje pa leje.

Dy raste janë raportuar në Fushë Kosovë, dy të tjera në Prishtinë, dy në Obiliq, në të cilat janë arrestuar tre të dyshuar.

Në Fushë Kosovë, më 7 janar rreth orës 18:00 një grua është sulmuar fizikisht nga një person. I dyshuari është arrestuar.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa, një rasti i dytë në Fushë Kosovë ka ndodhur më 8 janar, rreth orës 02:00, ku një burrë përderisa ishte në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje.

Ky rast është duke u hetuar nga Policia.

Në Prishtinë, një grua është sulmuar fizikisht dhe është kanosur me thikë nga një burrë. Rasti ka ndodhur më 8 janar, rreth orës 12:30.

I dyshuari gjendet në arrati.

Një grua tjetër në Prishtinë ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga një person, i cili është arrestuar.

Rasti raportohet të ketë ndodhur më 8 janar, në ora 22:00.

“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje” – ka njoftuar Policia.

Në Obiliq, një shtetase e huaj ka raportuar se kishte pasur mosmarrëveshje me një burrë dhe si rezultat i kësaj ajo ka pranuar trajtim mjekësor dhe është dërguar në strehimore, kurse i dyshuari nuk është hasur në shtëpi.

Ky rast ka ndodhur më 8 janar, rreth orës 22:00. Në lidhje me këtë rast, janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe pas intervistimit të tyre, me vendim të prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt.

Rasti i dytë që ka ndodhur në Obiliq më 8 janar, në ora 22:00, një grua është kanosur me armë zjarri nga një person.

I dyshuari është arrestuar dhe atij i është bastisur shtëpia, ku i janë konfiskuar dy pistoleta dhe 27 fishekë.