Raportuesi për Kosovë kërkon përgjegjësi politike dhe respekt për sundimin e ligjit në Kosovë

Raportuesi i Kosovës në Këshillin e Europës, Peter Beyer ka kërkuar përgjegjësi politike dhe respekt për sundimin e ligjit në Kosovë.

“Mbështetja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE) për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Kosovë mbetet e fortë në këto periudha sfiduese”, tha raportuesi i Kosovës në Këshillin e Europës, Peter Beyer.

Beyer ka thënë se mirëpret shembujt e fundit të bashkëpunimit ndër-komunitar dhe ndër-kufitar dhe solidaritetin e treguar të profesionistëve e cila shkon përtej ndarjeve etnike.

“Populli i Kosovës është goditur fort nga kriza aktuale e coronavirusit, si shumë popuj të tjerë nëpër botë. Keqardhja ime shkon veçanërisht për ata që preken drejtpërdrejt nga kriza: në shëndet, ekonomikisht dhe në vendet e goditura më shumë nga sëmundja. Unë mirëpres në këtë drejtim shembujt e fundit të bashkërendimit pozitiv ndër-komunitar dhe ndër-kufitar dhe solidaritetit të treguar midis profesionistëve kryesorë mjekësorë dhe zyrtarëve, përtej ndarjeve etnike dhe politike”, shtoi ai.

Beyer potencoi që Kosova gjithashtu e gjen veten në mes të një krize politike dhe kushtetuese pasi që qeveria e zgjedhur ra përmes një mocioni të votëbesimit në fund të muajit mars, gjatë krizës së coronavirusit.

Raportuesi i Kosovës në Këshillin e Europës, Peter Beyer tregoi që presidenti Thaçi dekretoi kandidatin e LDK-së si mandatar për formimin e Qeverisë së re, pa zgjedhje të reja, por dekreti i tij u pezullua më 1 maj nga Gjykata Kushtetuese deri më 29 maj.

“Në këtë situatë dramatike, është thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe popullin e saj që kontrollet dhe ekuilibrat të kenë mbështetje dhe siguri. Kjo vlen veçanërisht për një Kuvend plotësisht funksional dhe një sistem të pavarur gjyqësor kushtetues”, tha Beyer.

Beyer ka kërkuar që përgjegjësit politik dhe ata në drejtësi duhet të veprojnë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Unë i nxis të gjithë ata që janë përgjegjës politikisht në Kosovë, dhe gjithashtu ata në gjyqësi, të veprojnë ekskluzivisht në interes të qytetarëve të tyre dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Unë gjithashtu besoj se të gjithë në Prishtinë janë të udhëhequr vetëm nga sundimi i ligjit dhe sigurojnë parimin e proporcionalitetit në lidhje me të gjitha masat që konsiderohen të nevojshme për të përballuar krizën aktuale pandemike dhe politike, gjithmonë me synimin për të siguruar përputhjen me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat janë pjesë e sistemit të brendshëm ligjor”, përfundoi Beyer.