Raporti i Progresit: Dorëheqja e policëve në veri krijoi kushte të favorshme për krimin e organizuar

“Lufta kundër krimit të organizuar në veri vazhdon të jetë sfiduese” – kështu thuhet në raportin e Komisionit Europian për vitin 2023 për Kosovën, i njohur si Raporti i Progresit.

Në pjesën ku flitet për luftën kundër krimit të organizuar, zona më sfiduese u paraqit veriu, e kjo ndodhë sipas raportit është edhe për shkak të dorëheqjes së zyrtarëve serbë të Kosovës nga institucionet publike në nëntor të vitit 2022.

E sipas Komisionit Europian, për ta adresuar këtë, autoritetet duhet të vazhdojnë të respektojnë në mënyrë rigoroze të gjitha standardet përkatëse të sundimit të ligjit.

Tutje janë përmendur edhe 578 oficerët serbë në veri të Kosovës të cilën dhanë dorëheqje nga Policia e Kosovës pas vendimit të përfaqësuesve politikë serbë të Kosovës për të braktisur institucionet e Kosovës në katër komunat veriore.

Sipas Komisionit, dorëheqja krijoi një vakum sigurie dhe kushte të favorshme për krimin e organizuar në veri të Kosovës.

“Për të adresuar situatën, Policia e Kosovës ka zhvendosur përkohësisht oficerët shqiptarë të Kosovës nga Mitrovica e Jugut për të zënë pozita të lira” – thuhet në raport.

Tutje u tha se PK gjatë periudhës raportuese ka bërë dy thirrje të ndara për të rekrutuar oficerë joshumicë në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Mitrovicës Veriore.

“Në procesin e parë të rekrutimit, nga 145 (116 meshkuj dhe 29 femra) aplikime të pranuara, u regjistruan 73 (57 meshkuj dhe 16 femra) kandidatë joshumicë, duke përfshirë 43 serbë të Kosovës (36 meshkuj dhe 7 femra)” – njoftohet në këtë raport.

Gjithashtu u tregua se në procesin e dytë të rekrutimit, i cili u mbyll më 30 maj 2023, nga 205 aplikacione të pranuara (167 meshkuj dhe 38 femra), 87 (69 meshkuj dhe 18 femra) ishin nga serbët e Kosovës.

“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar dhe ka bërë përparim të kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar” – thuhet në raport.

Tutje është thënë se Kosova duhet t’i shfrytëzojë më mirë mjetet ekzistuese të fuqishme të parapara me Kodin Penal dhe Ligjin për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit.

Sipas këtij raporti gjatë vitit aktual vazhduan operacionet e zbatimit të ligjit kundër krimit të organizuar, megjithatë thuhet se përpjekjet për hartimin dhe shënjestrimin e strukturave të krimit të organizuar duhet të intensifikohen më tej.

“Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të siguruar hetime pro-aktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskimin përfundimtar të aseteve. Pavarësia operacionale e agjencive të zbatimit të ligjit duhet të sigurohet” – u tha në raport.

Sipas Komisionit Europian, Kosova ka zbatuar pjesërisht rekomandimet e vitit 2022, kryesisht në lidhje me trajnimin dhe ngritjen e vetëdijes për legjislacionin e ri.

Po ashtu, sipas raportit Kosova ka avancuar edhe më tej bashkëpunimin me Europol dhe Eurojust.

“Ligji i ri për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të synuara duhet të jetë një mjet efektiv në luftimin e krimit të organizuar” – thuhet në raport.

Tutje janë dhënë edhe rekomandime të cilat Kosova duhet t’i kryej gjatë vitit të ardhshëm, e njëra prej tyre është që vendi duhet të zbatojë në mënyrë efektive strukturën e re organizative të policisë dhe të vazhdojë zbatimin e qasjeve të policimit të udhëhequr nga inteligjenca dhe në komunitet si modele kryesore të biznesit të policisë.

Po ashtu duhet të synojë dhe hartojë në mënyrë pro-aktive dhe të përbashkët grupet e organizuara kriminale dhe vazhdojnë të kryejnë në mënyrë sistematike hetime financiare në të gjitha fazat e hetimeve penale në të gjitha rastet e rënda, të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të inicioj hetime të pavarura për pastrim parash.

Gjithashtu është rekomanduar që të shtohen përpjekjet për të parandaluar dhe luftuar rrjetet kriminale të përfshira në kontrabandën e migrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe në identifikimin dhe referimin e viktimave në shërbimet e asistencës; të sigurojë qëndrueshmëri financiare të strehimoreve dhe asistencë për viktimat e trafikimit.

Raporti i Progresit për Kosovën: Korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese serioze