Raporti i MAPL-së, komunat që qëndrojnë më së miri me rrjet të kanalizimit

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka publikuar raportin e performances së komunave për vitin 2020.

Ky raport prezanton rezultatet e punës së komunave në 19 fusha të kompetencave që janë nën përgjegjësi të tyre, përmes 102 treguesve.

Në fushën e 13-të, që është ajo e kanalizimit, komunat që qëndrojnë më së miri janë Juniku, Mamusha, Mitrovica, Rahoveci, Shtimja dhe Peja me 50 për qind.

Kjo fushë mat përfshirjen e ekonomive familjare, bizneseve dhe institucioneve në sistemin e kanalizimit si dhe realizimin e projekteve komunale për rrjet të kanalizimit.

Po ashtu, ky tregues mat edhe përfshirjen e vendbanimeve të komunës në rrjetin për trajtimin e ujërave të zeza si një nga faktorët mjaft të rëndësishëm në ambient, kushte të jetesës dhe shëndetin publik. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 40.18 %, për dallim nga viti 2019 sa ishte 36.51%.

Sipas të dhënave rreth 74.19% të ekonomive familjare, institucioneve publike dhe bizneseve janë deklaruar të përfshira në sistemin e kanalizimit, për dallim nga 71.42% sa ishte në vitin 2019.

Në anën tjetër, zbatimi i aktiviteteve nga plani për ndërtim dhe mirëmbajtje të sistemit të kanalizimit është raportuar të jetë 86.54% për dallim nga 74.64% sa ishte në vitin 2019. Për treguesin e trajtimit të ujërave të zeza, për shkak të pezullimit të treguesit, është aplikuar vlera 0% për të gjitha komunat me qëllim të pasqyrimit të drejtë të rezultateve në fushë.

Për vitin 2020, raporti përmbledh 17 tregues më pak se për vitin 2019, për shkak të rrethanave të pandemisë. Reduktimi i treguesve është bërë në koordinim me zyrtarët komunalë, me të cilët para procesit të matjes është realizuar një vlerësim të përgjithshëm të parametrave të matjes, duke evidentuar treguesit e ndikuar nga pandemia dhe pezulluar 17 prej tyre.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK