Rrjedha e lumit Graqanka, Graçanicë. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com
Britma e heshtur e lumenjve të ngufatur
Lumenjtë e Kosovës vazhdojnë të ndoten nga ujërat e zeza, qytetarët shprehen të dëshpëruar për mungesën e rrjetit të kanalizimit, derisa raportet ndërkombëtare shohin progres të kufizuar në përkujdesjen ndaj mjedisit në Kosovë.
Në afërsi të rrjedhave të lumenjve që kalojnë nëpër qytetet e Kosovës, aroma e pakëndshme është tregues i ndotjes së ujërave. Si pasojë e mungesës së kanalizimit, ujërat e ndotura janë një nga të këqijat me të cilat vazhdojnë të përballen qytetarët e vendit.
Qendrat e qyteteve të vendit zakonisht lidhen me nga një urë nën të cilën kalojnë rrjedha lumore. Uji i tyre që do duhej të ishte i pastër si pika e shiut, shpesh i ngjan ujit të pusetave. Ndotja më e madhe e lumenjve shkaktohet nga derdhja e ujërave të zeza nga shtëpitë dhe bizneset.
Uji i zi e ngjyrë kafe, mbetje amvisërie e industriale, ia kanë tjetërsuar pamjen pasurive ujore, sa të japin përshtypjen e një shëmtie të madhe.
Shumica e komunave ende nuk kanë impiante për trajtimin e ujërave të zeza. Rrjedha e qetë e lumenjve gradualisht po mbytet nga jehona ogurzezë e ndotjes. Shkatërrimi mjedisor i lumenjve të Kosovës paraqet një kërcënim të madh për ekuilibrin ekologjik të vendit, shëndetin e njerëzve dhe mirëqenien e përgjithshme.
Ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të ujërave të zeza rezulton me 35.49%, ku 60.10% shprehet në treguesin për realizimin e planit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të kanalizimit, ndërsa 73.23% e ekonomive familjare, institucioneve publike dhe njësive biznesore të 27 komunave janë të kyçura në sistemin e kanalizimit.
Edhe pse Raporti i Progresit për vitin 2022 tregon se Kosova ka bërë disa përparime në harmonizimin e legjislacionit për ujërat me Acquis communautaire të BE-së, megjithatë është vlerësuar si progres i kufizuar. Aty shkruan që ujërat e zeza dhe shkarkimet e patrajtuara mbeten burimet kryesore të ndotjes së ujit, veçanërisht në lumenj.
Ndërkaq, niveli i përafrimit dhe mekanizmi monitorues i Strategjisë së Ujit 2017-2036 me Acquis communautaire të BE-së mbeten të pamjaftueshme, si dhe zbatimi i ligjit për ujërat. Si urgjente u parapanë ngritja e një sistemi efektiv të monitorimit të ujit, me të dhëna të disponueshme për publikun dhe funksionalizimi i autoritetit të rrethit të pellgut lumor.
Lumenj a.k.a kanalizime
Rrjedha e lumit Tërstena, që kalon nëpër qytetin e Vushtrrisë, nuk dallohet nëse është ujë lumi, apo llavë kanalizimi. Aroma e padurueshme i shqetëson qytetarët e asaj ane, më së shumti ata që jetojnë skaj lumit. Ata nuk fajësojnë banorët e fshatrave, por pushtetin lokal që nuk po shtrin rrjetin e kanalizimit në gjithë territorin e komunës.
Shtëpia e Leonora Xhakolit gjendet përskaj urës. Shpeshherë aroma është aq e keqe sa që duhet t’i mbyllësh hundët kur kalon rrugën andej.
“Lumi Tërstena në shumicën e kohës është i ndotur, pavarësisht që komuna mundohet herë pas here ta pastrojë. Kjo vjen si pasojë e mungesës së kanalizimit, por edhe për shkak të banorëve përreth. Ata nuk janë aspak të ndërgjegjshëm duke hedhur kështu mbeturinat e tyre personale në lumë”- tha Xhakoli.
24.34% është shtrirja e kanalizimit në Vushtrri në vitin 2021.
Raporti i performancës për vitin 2021 vë në pah që rreth 53.44% të ekonomive familjare, institucioneve publike dhe bizneseve janë deklaruar të përfshira në sistemin e kanalizimit.
Në vitin 2020 ishte 74.19%. Në anën tjetër, zbatimi i aktiviteteve nga plani për ndërtim dhe mirëmbajtje të sistemit të kanalizimit është raportuar të jetë 60.10% për dallim nga 86.54% sa ishte në vitin 2020.
Në Graçanicë, shitësit e blerësit tregun e së martës e bëjnë në afësi të rrjedhës së lumit Graqanka. Lumi kishte marrë ngjyrë kafe, ndërsa aroma ishte e pakëndshme për të shitur fruta të freskëta matanë tij.
Pensionisti Predrag Millanoviq nga Graçanica tha që viteve të fundit lumi i qytetit të tyre është ndotur nga ujërat e zeza. Edhe pse qyteti përgjithësisht është i mbuluar me kanalizim, sipas tij, mungesa e kanalizimit nëpër fshatra ka bërë që ujërat e zeza të shkarkohen në këtë lumë.
Në këtë gjendje, Millanoviq nuk e mban mend që ka qenë ndonjëherë lumi, teksa frikësohet për shëndetin e tij dhe të bashkëqytetarëve. Ai bën thirrje që sa më parë të merren masa në mënyrë që mos të përkeqësohet gjendja.
“Kjo gjendje është për shkak të kanalizimit. Lumi nuk u dashtë të ndotet kështu sa mos të mundemi me duru aromën e keqe. Ne gjithë ditën endemi këndej”- tha Millanoviq që kishte dalë në treg.
Në Graçanicë rreth 38.46% është i shtrirë rrjeti i kanalizimit, sipas të dhënave të vitit 2021.
Jo shumë larg Graçanicës, për banorët e kryeqytetit ujërat e ndotura janë problem i kahmotshëm. Rrjedha e lumit Prishtina i përngjan një kolektori të ujërave të zeza të mbledhura në një vend. Shumica e fshatrave në komunën e Prishtinës nuk kanë trajtim të duhur të ujërave të zeza.
Shumë prej ujërave të ndotura derdhen në liqenin e Badovcit apo ka edhe raste kur kanë depërtuar në ujërat e puseve. Përpos fshatrave, ujërat e zeza dalin në sipërfaqe edhe në zonën urbane, sidomos gjatë kohës kur ka reshje.
Në fillim të këtij viti, ishin ndarë 900 mijë euro për ndërtim, rikonstruktim e sanim të kanalizimeve në fshatrat e kryeqytetit: Bardhosh, Barilevë, Besi, Bërnicë, Busi, Grashticë, Hajvali, Lebane, Llukar, Makoc, Matiqan, Mramor, Prugoc, Rimanishtë, Sinidoll, Siqevë, Slivovë, Sharban, Shkabaj, Tenezhdoll, Trudë, Vranidoll dhe Çagllavicë.
Në Prishtinë 49.64% e territorit është e mbuluar me kanalizim, në bazë të raportit të performancës.
Sipas një raporti të vitit 2020 nga Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, 90% e ujërave të zeza në Kosovë në mënyrë direkte ose jo shkarkohen në lumenj pa filtrimin e duhur. Në tre vitet para qershorit 2020, 32 milionë euro ishin parashikuar për filtrim të ujërave të zeza por vetëm 2.2 milionë euro u shpenzuan në të vërtetë.
Në jug të Kosovës, në komunën me shumicë serbe, Ranillug, pak pa hyrë në fshat gjendet një urë me ngjyra të flamurit serb, nën të cilën rrjedh uji i Moravës së Binçës. Ndërkaq, brenda fshatit, në pjesën e betonuar për rrjedhën e lumit nuk shihej ujë.
Vlastimir Dimiq, banor i fshatit Ranillug, pensionist i cili pasion e ka peshkimin, e mban mend kur kohë me parë peshkonte në këtë rrjedhë të Moravës së Binçës. Ndërkaq tani nuk peshkon më.
“Ka qenë shumë vend i mirë, se unë vet jam peshkatar, por më asgjë nuk ka se nuk mundemi me peshku diku ku është uji i ndotur. Përpara kemi peshku shumë” tha ai, duke treguar që në Ranillug jo të gjitha shtëpitë kanë kanalizim.
Lumi kishte marrë nuanca të ngjyrës së zezë dhe ishte ndotur nga mbeturinat e përditshme që janë shkarkuar e bartur në ujë.
Progres i kufizuar, probleme të përsëritura
Profesori i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës, Zeqir Veselaj, thotë që nuk mund të ketë ujë të sigurt në cilësi nëse nuk ka sistem të kanalizimit. Progres të kufizuar e përkufizoi raporti i Komisionit Europian, gjendjen e mjedisit në Kosovë.
Shtjellimin e tij sa se është i rrezikshëm për shëndetin mungesa e kanalizimit, ai e nisi me një maksimë të njohur në shëndetësi: nëse njeriut i siguron ujin e sigurt të pijes dhe sanitacionin (kanalizimin), i ke siguruar gjysmën e shëndetit.
“Por edhe nëse sistemi i kanalizimit ekziston, ai vetëm sa i “largon” ujërat e zeza ndërsa që mungesa e trajtimit të ujërave të zeza nuk është se e zgjidhë problemin”- tha ai, duke theksuar rrezikshmërinë nga shkarkimet e patrajtuara të ujërave të zeza.
Sipas Veselajt, degradimi i shtretërve të lumenjve është e ndarë nga kanalizimi, për shkak se gërryerja e shtretërve prish konfiguracionin fizik të terrenit të tyre, devijon rrjedhën dhe është edhe një nga shkaktarët e vërshimeve të shpeshtuara ashtu si ndikojnë edhe ndërtimet e shumta buzë lumenjve (shtëpi, vila, restorante etj.).
Buxheti për sektorin e ujit është i pamjaftueshëm, derisa Kosovës i mungojnë kapacitetet e mjaftueshme njerëzore, administrative dhe kapitale për të zbatuar standardet e BE-së për ujin, mjedisin dhe klimën.
Kurse, për ndotjen nga ujërat e zeza, Veselaj thotë që prish cilësinë e ujit që bart shtrati i lumenjve, gërryerja e shtratit e prish peizazhin dhe ndryshon rrjedhën e masës ujore.
“Shpesh lumenjtë e Kosovës thirren me epitetin e paknëndshëm si “kolektor mbeturinash” ku shohim gjithçka të mundshme prej shisheve plastike e deri te mobile që hidhen në lumenj, nuk e kanë burim kanalizmin por dëmin e kanë të njejtë”- tha ai.
Në analizën e Veselajt, lumenjtë e Kosovës me disa përjashtime të vogla janë të vegjël dhe që bartin masa të vogla ujore. Duke pasur pak ujë, çdo derdhje e ujërave të zeza e prish shpejt dhe fuqishëm cilësinë e tyre.
Në Kosovë burojnë apo rrjedhin disa lumenj: Drini i Bardhë, Ereniku, Ibri, Drenica, Llapi, Lepenci, Nerodimja, Morava e Binçës dhe Sitnica.
Pjesa më e madhe e këtyre ujërave derdhen në detin e Zi (50,7 për qind), pjesa tjetër (43,5 për qind) në Detin Adriatik dhe pjesa e vogël prej 5,8 për qind në Egje.
Veselaj shkatërrimin e cilësisë së ujërave nga ujërat e ndotura e ndan në dy drejtime: e para në aspektin fiziko-kimik, duke qenë se derdhja e stërngopur me kimikate si detergjente, sapune, vajra ushqimore e deri te vajrat e makinave të cilat e prishin thellësisht strukturën fiziko-kimike të ujit natyror. Ndërkaq, e dyta, ndotja fiziko-kimike vështirson shpesh deri në pamundësi jetën e organizmave akuatikë bimorë e sidomos atyre shtazorë.
“Shumë shtazë kanë pësuar rënie të popullacioneve të tyre në zonat ujore ku kanë jetuar përpara pikërisht duke migruar sa më larg pikave ku shkarkohen kanalizimet e qyteteve e fshatrave” – tha ai, duke theksuar që peshkatarët po ankohen gjithnjë e më shpesh se nuk po gjejnë peshk atje ku kanë peshkuar më parë.
Rreth 1,100 hektarë të lumenjve në Kosovë janë zona të degraduara, sipas një raporti i vitit 2023, i realizuar nga Democracy Plus së bashku me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike dhe Shoqatën Gorazhdevac Media Group.
Lumi më i dëmtuar është Drini i Bardhë, më i gjati në vend që rrjedh nëpër të gjithë regjionin e Dukagjinit. Më pas vjen Lumbardhi që rrjedh në komunën e Pejës dhe Ereniku i Gjakovës.
Zenelaj ka qenë drejtor i Qendrës Rajonale për Mjedis për Evropën Qendrore dhe Lindore. Në bazë të hulumtimeve që kanë bërë atje, ai thotë që lumenjtë më të ndotur padyshim se janë ata që kalojnë nëpër zonat e dendura urbane duke “bartur me vete” shkarkimet e një numri të madh të banorëve si p.sh. Sitnica, Ibri, Lumbardhi i Prizrenit, Lumbardhi i Pejës, Llapi, Mirusha e Gjilanit.
Për gjendjen e rëndë të lumenjve, ai fajëson nivelin qendror dhe lokal që për impiante të trajtimit të ujërave të zeza ende presin donacione, në vend që këto të bëhen me investime vjetore dhe kredi të buta.
Ky artikull është pjesë e një nisme që forcon bashkëpunimin ndërkulturor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili financohet nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e Internews Kosova dhe nuk përfaqëson domosdo pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose bashkëpunëtorëve të tjerë në projekt.