Kuvendi i Kosovës - Foto: REL

Raporti i auditorit për kontratën e dyshimtë të Kuvendit të Kosovës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se gjatë vitit 2019, Kuvendi i Kosovës në kontratën për renovimin e ndërtesës së Kuvendit kishte gjetur se punët nuk ishin kryer sipas specifikave të kontratës dhe nuk ishin aprovuar paraprakisht nga ZKA-ja.

Auditori ka gjetur se në një pjesë ku punët e kryera, kishin pasur vlerë 7 mijë euro, nuk ishin kryer sipas kërkesave të kontratës.

“Në kontratën “Renovimi i ndërtesës së Kuvendit”, menaxheri i projektit së bashku me organin mbikëqyrës kishte konfirmuar pranimin e situacionit të parë në vlerë 14,470€. Megjithatë, kjo pagesë nuk ishte certifikuar nga departamenti i financave për shkak se punët e kryera në këtë situacion, në një pozicion në vlerë 7000€, nuk ishin bërë sipas specifikave të kontratës dhe nuk ishin të aprovuara paraprakisht nga ZKA”, thuhet në raport.

Sipas auditorit, menaxheri i projektit kishte bërë pranimin e punëve duke u bazuar në një kontratë tjetër, të vitit 2015.

“Menaxheri i projektit e kishte konfirmuar pranimin e punëve duke u bazuar në një aprovim paraprak nga ZKA, që ishte marrë në vitin 2015 dhe që kishte të bëjë me pozicionin e njëjtë por ishte kontratë tjetër, ndërsa nuk kishte qenë i informuar se do të duhej që për kontratën aktuale të merrej sërish aprovim nga ZKA”, thuhet në raport.

E kjo i ka kushtuar Kuvendit të Kosovës, kosto shtesë me vlerë prej 1 mijë e 50 euro.

“Si pasojë e kësaj, pagesa në vlerë 7000€, ishte ekzekutuar nga Thesari në llogari të operatorit ekonomik, sipas urdhërit të përmbaruesit, duke shkaktuar kosto shtesë në vlerë 1,050€ për shpenzime të procedurës përmbarimore”, thuhet në raport.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë të Zyra Kombëtare të Auditimit për Kuvendin e Kosovës.