Raporti i auditimit pa asnjë shkelje i Rregullatorit të Shërbimeve të Ujit

Zyra Kombëtare e Auditimit nuk ka gjetur asnjë shkelje dhe nuk i ka dhënë asnjë rekomandim Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, në raportin e vitit 2019.

Auditimin e pasqyrave financiare të ARrShU-së e ka kryer kompania “ETIKA Co” Sh.p.k. në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit nuk kishte marrë asnjë rekomandim edhe në raportin e vitit 2018.

“Në raportin tonë të auditimit për PFV-të e vitit 2018, ne nuk kemi dhënë asnjë rekomandim. Po ashtu, edhe për auditimin e vitit 2019 nuk kemi dhënë asnjë rekomandim

Auditori i ka dhënë ARrShU-së opinion të pamodifikuar në pasqyrat financiare vjetore për vitin 2019, duke shtuar se ato prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

“Sipas opinionit tonë, Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme”, thuhet në raportin e auditimit të vitit 2019.

Buxheti final në raport me buxhetin fillestar ishte zvogëluar për 34,201 euro. Ky zvogëlim ishte rezultat i vendimeve të Qeverisë për kursime buxhetore. Në vitin 2019, ARrShU ka shpenzuar 98% të buxhetit final ose 353,109 euro, me një përqindje të njëjtë krahasuar me vitin 2018.

Ndryshime buxhetore, prej buxhetit fillestar në atë final kishte zbritje te kategoria e pagave dhe mëditjeve në vlerë 15,706 euro, si dhe te mallrat dhe shërbimet në vlerë 18,495 euro.

“Këto ndryshime ishin si rezultat i dy vendimeve të Qeverisë Nr. 02/113 i datës 05/11/2019 si dhe Nr. 03/115 i datës 17.12.2019, për kursime buxhetore. Ndërsa sa i përket kategorisë së shërbimeve komunale nuk kishte ndryshime”, theksohet në raportin e vitit 2019.

Të hyrat e realizuara nga ARrShU-ja në vitin 2019 ishin në vlerë 355,976 euro. Ato kanë të bëjnë me taksën vjetore të licencimit, të cilën ofruesi i shërbimeve të ujit i paguan Autoritetit deri 1.5% e bruto faturimit vjetor të raportuar në pasqyrën e të ardhurave të saj për vitin paraprak.

Buxheti final për paga dhe mëditje ishte 235,667 euro dhe sipas Auditorit aq edhe ishte shpenzuar.

Numri i të punësuarve sipas buxhetit ishte 21 ndërsa në fund të vitit numri i tyre ishte 21. Gjatë vitit 2019 ishte punësuar vetëm një punëtor i ri.

“Kemi testuar 35 mostra për teste substanciale në vlerë 36,061 euro, si dhe 8 mostra për teste të pajtueshmërisë. Nga mostrat e testuar nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, theksohet në raport.

Buxheti final për mallra dhe shërbime në vitin 2019 ishte 116 mijë euro, prej tyre ishin shpenzuar 113,351 euro. Ndërsa buxheti final për shpenzime komunale ishte 6,503 euro, ndërsa ishin shpenzuar 4,091 euro.

“Për këto kategori, kemi testuar 45 mostra për teste substanciale në vlerë 37,780 euro si dhe 4 mostra për teste të pajtueshmërisë. Nga mostrat e testuar nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, vazhdon raporti i vitit 2019.

Vlera e paraqitur në pasqyrat financiare vjetore e pasurive kapitale ishte me vlerë zero, e pasurive jokapitale ishte 20,821 euro, si dhe e stoqeve 8,865 euro.

“Kemi testuar 10 mostra për teste substanciale në vlerë 3,423 euro, si dhe 14 mostra për teste të pajtueshmërisë. Nga mostrat e testuar nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, thuhet më tutje në raport.

ARrShU-ja në pasqyrat financiare vjetore të vitit 2019 ka shpalosur llogari të arkëtueshme në vlerë prej 277,546 euro. Sipas Auditorit, kjo vlerë përbehet nga taksat vjetore të licencimit për kompanitë regjionale të ujërave dhe mbeturinave, të cilat janë të pa arkëtuara e të cilat janë në procese gjyqësore.

Pasqyra e detyrimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2019, ishte 980€3. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2020.

Pasqyra e detyrimeve kontingjente në fund të vitit 2019 ishte zero euro.

Pasqyra e detyrimeve kontraktuale ndaj furnitorëve në fund të vitit 2019 ishte 36,686 euro.

“Nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim, në kategorinë e Detyrimeve”, theksohet në raportin e vitit 2019.

Sipas Auditorit, në bazë të kërkesave ligjore, ARrShU-ja nuk i plotëson kriteret për themelimin e Njësisë për Auditim të Brendshëm.

“Ne inkurajojmë menaxhmentin që të bëjë një rishikim të nevojave për auditim të brendshëm dhe të konsiderojë mundësinë e arritjes së një marrëveshje me ndonjë organizatë tjetër të sektorit publik që të shfrytëzojë shërbimet e auditimit të brendshëm. Nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, përfundon raporti.