Edi Rama dhe Albin Kurti, Foto: ZKM

Rama komenton dialogun: Mos të jetë nevoja që superfuqitë t’i kapin për veshi sa herë që grinden

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar takimin e sotëm në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq duke thënë se ‘të mos jetë nevoja që superfuqitë duhet t’i kapin për vesh sa herë që grinden në oborrin pas shkollës’

“Unë dua shumë të shpresoj dhe jam me gjithë zemër dhe mendjen i angazhuar që tu lutem që çështja mes Serbisë dhe Kosovës të hyjë në rrugën e një dialogu pa kthim, dhe më shpejt sesa vonë të jetë një çështje e të dyja vendeve, dhe të mos jetë nevoja që superfuqitë duhet t’i kapin për vesh sa herë që grinden në oborrin pas shkollës”- tha Rama.

Rama vlerësoi planin franko-gjerman duke thënë se është oferta më e mirë në tavolinë.

“Një marrëveshje e bazuar në planin franko-gjerman është gjëja më e mirë që ishte në tavolinë, por ky është mendimi im. Unë respektoj sovranitetin e dy palëve për të vendosur për këtë dhe kur të krijohet një situatë e tillë, Qeveria e Shqipërisë dhe unë personalisht do të jemi aty për të mbështetur Qeverinë e Kosovës dhe qeverinë e tyre dhe uroj që të jenë vendimtare dhe të suksesshme”-, ka deklaruar ai.

Edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë se Mali i Zi e përkrah dialogun dhe ‘plani franko-gjerman është plan i mirë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sot pritet të zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në takim pritet të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ky propozim nuk do të negociohet.

Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ai tha se plani evropian është i tipit merre ose lëre.

“Plani në vetvete nuk do të negociohet, vetë plani është i hartuar nga BE, palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me ta dhe nuk shohim asnjë arsye e as gjasa për negociata, ne besojmë vërtet se është plani që trajton çështjen që respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm’ deklaroi Lajçak.