Rama pas takimeve bilaterale në Bruksel: Gjëja e parë, lirimi i tre policët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas takimeve të ndara bilaterale që patën sot pala kosovare dhe serbe në Bruksel me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian.

“Gjëja e parë e në radhë të parë, lirimi i tre policëve” – tha Rama në Twitter duke iu referuar rastit të tre policëve që janë në paraburgim 30-ditësh në Kralevë të Serbisë.

Pas lirimit dhe largimit të tyre shëndoshë e mirë nga Serbia, Rama tha se nevojitet një veprim i ri dhe i fortë i Francës dhe Gjermanisë.

“Pa tre djemtë që largohen shëndoshë e mirë nga Serbia, nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparim të vërtetë! Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti” – tha ai.

Sot, në Bruksel për më shumë se katër orë përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak mbajtën takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Borrell njoftoi se në takimet e sotme janë fokusuar se si të qetësojnë situatën në terren; si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog.

Ai tha se u dakorduan për nevojën për zgjedhje të reja, se arrestimet arbitrare apo keqtrajtimi i të burgosurve është i papranueshëm dhe se tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen urgjentisht dhe pa kushte.

Po ashtu, për arrestimet që ndodhën, Borrell tha se do të monitorohen nga EULEX.