Rama: Anëtarësimi në BE, i dyanshëm - Njohja e Kosovës me zërin e vet

Kryeministri Edi Rama u bë bashkë të enjten me 47 liderë evropianë dhe nga Ballkani Perëndimor në kuadër të takimit mbarevropian që po mbahet në Granadë të Spanjës.

Në intervistën për RadioTelevizionin Shqiptar me gazetaren Denada Shkodrani, kreu i qeverisë tha se në tryezat e shumta me homologët ai garantoi vullnetin për të përmbushur kriteret e Shqipërisë për përshpejtimin e procesit integrues.

“Unë nuk merrem me data. Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria e ka hapur rrugën e negociatave, është duke punuar intensivisht me Brukselin, kemi vajtje-ardhje të vazhdueshme të grupeve tona negociatore, kështu që ne jemi në rrugën tonë. Çështja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një çështje e dyanshme: nga njëra anë duhet të bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë, ndërsa nga ana tjetër është vendimmarrja e Komisionit Europian, e cila është një vendimmarrje sovrane që lidhet edhe me aspekte politike,” u shpreh kryeministri.

I pyetur për çështjen e Kosovës, kreu i qeverisë tha se Shqipëria do t’i japë zë procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Unë vazhdoj të bëj timen, t’i qëndroj një për një të gjitha bindjeve të mia, sepse nuk janë bindje të krijuara spontanisht, nuk janë bindje që burojnë nga emocione apo erëra që fryjnë në një drejtim apo një drejtim tjetër, nuk janë zjarre që ndizen apo fiken, por janë bindje që burojnë nga një vizion strategjik i rolit të Shqipërisë në rajon dhe i marrëdhënies së Shqipërisë me Kosovën, në funksion të së cilës Shqipëria ka bërë më shumë se kurrë ndonjëherë atë që duhet të bëjë, por Shqipëria nuk është për të mbajtur iso për çdo gjë që thuhet në bazë të analizës, që në të drejtën e tyre bëjnë në Prishtinë. Shqipëria është për të qenë në funksion të Kosovës dhe për njohjen përfundimtare të Kosovës me zërin e vet.

Nga ana tjetër, kam parë po ashtu se si gjithmonë në këto raste shpërthejnë të gjitha kanalet e ujërave të zeza, kinse patriotizmit, që siç thotë ajo fjala ‘është streha e fundit e maskarenjve’,” deklaroi Rama.

Më herët, kryeministri i Shqipërisë u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. rtsh.al