Rahoveci, komuna e tretë me performancën më të mirë

Në mesin e komunave me performancë më të mirë për vitin 2019 është vlerësuar Komuna e Rahovecit që udhëhiqet nga Smajl Latifi i AAK-së.

Sipas raportit të Ministrisë së Pushtetit Lokal për vlerësimin e performancës së komunave, Rahoveci në shumë fusha të ndryshme listohet si një ndër komunat më të mira dhe ka zënë vendin e tretë.

Performanca e Komunës së Rahovecit për vitin 2019 është vlerësuar me Rahoveci me 75.20% nga Ministria e Pushtetit Lokal, e cila ka publikuar raportin e performancës komunale për 33 komuna të Kosovës që kanë ofruar të dhëna.

Raporti i performancës komunale prezanton rezultatet e komunave nëpërmjet 19 fushave të kompetencave që janë nën përgjegjësi të tyre dhe kjo bazohet në të dhënat e ofruara dhe të dokumentuara nga vetë komunat.

Raporti synon të vë në pah dy çështje kryesore të menaxhimit të çështjeve publike, mënyrën e qeverisjes së komunave vlerësuar sipas legjislacionit të zbatueshëm dhe ofrimin e shërbimeve në aspektin sasior dhe cilësor, kur është e mundur.

Fushat me performancën më të lartë në Rahovec janë: Menaxhimi i fatkeqësive me 100%, shërbimet e mira administrative me 96.50% dhe transparencë komunale me 98.95%, si dhe përgjegjshmëria komunale me 85.01%, derisa më e ulëta qëndron tek planifikimi hapësinor me 30.22% dhe tek parkingjet publike me 44.5%.

Komuna me shërbime më të mira administrative e transparencë komunale

Fusha e shërbimeve publike administrative matë gatishmërinë e komunave për të ofruar shërbime administrative në formën online apo përmes e-kioskut, e në këtë fushë Komuna e Rahovecit është një prej komunave më të mira me 96.50%, e cila është listuar e para prej 33 komunave.

Edhe sa i përket fushës së transparencës komunale, komuna e udhëhequr nga Smajl Latifi është radhitur si një prej 5 komunave të cilat kanë performuar mirë në këtë fushë me 98.95%, ku para saj janë Peja, Gllogoci, Kacaniku e Vushtrria.

Transparenca komunale tregon rezultate në sigurimin e qasjes në të dhëna komunale, pjesëmarrjen në mbledhjet e kuvendeve, rritjes së standardeve të informacionit përmes ueb-faqeve, transparencën buxhetore dhe prokurimin publik.

Edhe sa i përket përgjegjshmërisë komunale, Rahoveci qëndron në nivel të lartë sa i përket raporti të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Në këtë fushë, Rahoveci është radhitur si komuna e katërt me performancë prej 85.01%, e që para saj janë Hani i Elezit, Lipjani dhe Gllogoci.

Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 62.64%. Në kuadër të kësaj fushe, vërejmë performancë të lartë të komunave në ndërmarrjen e veprimeve ligjore për suspendimin e zyrtarëve për të cilët ka pasur aktakuzë në lidhje me veprat për shpërdorim detyrës zyrtare.

Barazia në Punësim, Shërbime Sociale dhe Familjare

Kjo fushë prej dy rezultateve dhe katër treguesve mbulon përfaqësimin e grupeve të ndryshme në punësim komunal, si dhe shërbimet sociale të grupeve më me nevojë në komuna.

Sipas të dhënave niveli i përmbushjes së kuotës për të punësuar me nevoja të veçanta është mjaft i ulët. Ligji Nr. 05L-051 për mbrojtje nga diskriminimi, përcakton se të gjithë janë të barabartë në punësim, ku punëdhënësit duhet të ndërmarrin masa të duhura që t’i mundësojnë personit me aftësi të kufizuara të ketë qasje, të marrë pjesë apo të avancohet në punësim, nëse kjo masë përbën ngarkesë joproporcionale për punëdhënësin.

Po ashtu neni 12 i Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara kërkon që çdo institucion publik të ketë të punësuar një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punonjës (apo 2% e të punësuarve).

Edhe në këtë fushë Komuna e Rahovecit është radhitur e treta sa i përket performancës komunale në nivel vendi me 82.31%, sa është performanca e përgjithshme prej 57.70%.

Kulturë, Rini dhe Sport

Në kuadër të kësaj fushe maten aktivitetet komunale kulturore, rinore dhe sportive, si një nga kompetencat vetanake të komunave. Fusha mbulon edhe shërbimet e ofruara nga komunat që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe sportin, përfshirë hapësirat sportive.

Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 67.99%, por Rahoveci është mbi mesataren.

Ajo është radhitur komuna e pestë edhe në këtë fushë që ka performuar prej 98.6% në krahasim me 33 komunat e tjera.

Sipas të dhënave në 33 komuna janë organizuar rreth 2300 aktivitete kulturore dhe sportive.

Menaxhimi i fatkeqësive

Kjo fushë matë planifikimin, organizimin dhe udhëheqjen e sistemit të organizuar të komunës për tu përgjigjur ndaj dukurive të shkaktuara nga fuqitë e pakontrolluara dhe nga fuqitë tjera.

Rahoveci së bashku me komunën e Skenderajt, Obiliqin, Prizrenin, e disa komuna të tjera mbajnë primatin prej 100% për performancë në këtë fushë.

Planifikimi Hapësinor dhe hapësirat publike

Rahoveci pavarësisht se në disa fusha ka performuar më së miri se disa komuna, ka disa fusha që nuk ka performuar mjaftë mirë, sic është ajo e planifikimit hapësinor, hapësirave publike e infrastrukturë rrugore e 6-ta me 69.50%, që para saj janë Vushtrria, Zvecani, Kllokoti, Parteshi e Hani i Elezit me performancën më të mirë.

Transporti Publik dhe parkingjet publiket

Transporti publik matë ofrimin e transportit publik për qytetarët e komunës. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 64.13%.

Në vijim është paraqitur performanca e fushës përqindje për secilën nga komunat e Kosovës:

Rahoveci është radhitur e 5-ta me 97.1% të performancës në krahasim me 33 qytete të tjera që kanë ofruar të dhëna në drejtim të MPL-së.

Por, pak më keq është sa i përket sigurimit të parkingjeve publike, ku në këtë fushë është vlerësuar si e 15-ta me 44.5%, dhe performanca në nivel të fushës është 40.41%.

Uji i pijshëm, kanalizimi dhe menaxhimi i mbeturinave

Sa i përket ujit të pijshëm, Rahoveci ka siguruar për qytetarët e saj furnizim të mjaftueshëm me ujë.

Sipas raporti të MPL-së, Rahoveci radhitet në këtë fushë e 6-ta me 98.67% të performancës, ku për këtë fushë performanca e përgjithshme është 73.10%.

Ndërsa sa i përket projekteve komunale për rrjet të kanalizimit, nga 36.51% të performancës së përgjithshme të të gjitha komunave, Rahoveci është radhitur e 8-ta me 46.45% të performancës.

Edhe menaxhimi i mbeturinave në këtë komunë është sfidë. Rahoveci sipas performancës së MPL-së radhitet e 15-ta me 81.23% , kurse mbrojtja e mjedisit e ka radhitur si komunën e 11 prej 33 komunave me 89.9% të performancës.

Përfaqësimi gjinor , arsimi parauniversitar dhe kujdesi shëndetësor

Përfaqësimi gjinor dhe arsimi para universitar  si fusha të reja në vlerësimin e performancës së komunave, Rahoveci është mbi nivelin e përgjithshëm të performancës.

Sa i përket përfaqësimit gjinor, Rahoveci është e 15-ta me 44.7% dhe në fushën e arsimit parauniversitar e 13-ta me 68.8% të performancës.

Edhe kujdesi primar shëndetësor është fushë e re në kuadër të vlerësimit të performancës.

Sipas të dhënave të raportuara nga komunave, kjo fushë ka nivel të ulët të performancës në përgjithësi, apo 51.19%, por Rahoveci është më mirë. Komuna është radhitur e 6-ta me 58.8%.

Zhvillimi Ekonomik Lokal

Rahoveci në fushën e zhvillimit ekonomik lokal ka treguar performancë të mirë sipas raportit të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Kjo është fushë e re dhe për herë të parë e zbatuar në këtë cikël raportimi. Fusha është e përbërë prej 1 rezultati dhe 4 treguesve. Kjo fushë mate aktivitetet e planifikuara dhe të zbatuara për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në nivel lokal duke mobilizuar pronat komunale, dhe përditësim i rregullt i regjistrit të tatimpaguesve si dhe shkallë e lartë e inkasimit e tatimit në prone. Kjo fushë ka performancën e përgjithshme prej 59.35%.

Rahoveci në këtë fushë është e  17-ta me 73.4% të performancës në krahasim me 33 komuna e tjera.