Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

QKUK formon komision për të monitoruar respektimin e orarit dhe mbarëvajtjen e punës

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Elvir Azizi ka formuar një komision i cili do të monitorojë respektimin e orarit të punës e kodit të veshjes nga punëtorët dhe sjelljen e tyre në përgjithësi.

Azizi e deklaroi këtë sot, gjatë raportimit të tij para Bordit të ShSKUK-së.

“Njëkohësisht janë duke u monitoru edhe këto lokalet që janë përreth për sa i takon daljes së stafit shëndetësor me uniforma dhe në mënyrë të parregullt në to” – tregoi sot Azizi në mbledhjen e Bordit të ShSKUK-së.

Më tej, ai tregoi se ka bërë vizita nëpër klinika edhe pas orarit të rregullt, për të parë rregullsinë në punë. Në vizitën e fundit tha se i është bashkuar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Është vërejtur që kryesisht stafi mjekësor është në orar të punës dhe ofron shërbime shëndetësore në kohë” – tha drejtori.

Pas daljes së komisionit në terren, udhëheqësi i ShSKUK-së thotë se ka pranuar gjetjet e para për Klinikën e Emergjencës dhe atë të Kardiologjisë, dhe do të marrë masa në bazë të atyre gjetjeve.

Drejtori përmendi se ka vizituar edhe spitalet në Mitrovicë, Ferizaj dhe Vushtrri, ku thotë se ka evidentuar gjetjet e njëjta sikur ato të Bordit gjatë vizitave të tij nëpër spitale rajonale.

Gjatë këtyre vizitave, Bordi ka hasur në mjaft parregullsi, me theks në shfrytzueshmërinë e ulët të shtretërve.

KALLXO.com monitoron mbledhjet e Bordit të ShSKUK-së dhe po ashtu ka raportuar për vizitat e mbledhjet e Bordit në Spitalin e Gjakovës dhe në Spitalin e Pejës.