Mbledhja e Bordit të SHSKUK-së në Spitalin e Gjakovës, Foto: SHSKUK, Facebook

Bordi i SHSKUK-së viziton Spitalin e Gjakovës, Kryesuesi i Bordit i pakënaqur me punën

Kryesuesi i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, Naim Bardiqi cilësoi se Spitali i Gjakovës ka pasur nënperformancë në tre muajt e parë të këtij viti.

Ky bord bashkë me u.d. Drejtoreshën e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Narqize Arenliu – Hoxhaj, vizituan dje Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda”, ku mbajtën edhe mbledhje.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari raportoi për punën e spitalit në periudhën janar – mars 2023 dhe foli për sfidat e tyre.

Ai tha se shfrytzueshmëria e shtretërve ka qenë relativisht e mirë, 39.2%. mirëpo, Bardiqi nuk u pajtua me këtë, pasi që sipas tij kjo shifër nuk është shfrytzueshmëri e mirë, referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Spitali i Gjakovës ka 413 shtretër gjithsej me mundësi shtimi prej 80 sosh, në raste të jashtëzakonshme, të cilat mbahen në depo.

Në shfrytëzueshmërinë e shtretërve, Jeton Zarari tha se ka ndikuar prishja e autoklavës më 5 dhjetor 2022, e cila ka bërë që të ulet numri i operacioneve të kryera.

Autoklava bën sterilizimin e manteleve, fashave e pajisjeve të tjera kirurgjike. Blerja e kësaj pajisjeje është ende në proces të tenderimit, ndërsa drejtori tregoi se janë në kontakt edhe me KFOR-in turk dhe KFOR-in italian për t’ua siguruar edhe një autoklavë tjetër.

Gjatë tre muajve të parë, siç tha Zarari në spital janë kryer 184 operacione, kryesisht për raste urgjente, 19 mijë e 227 vizita specialistike, me frekuencë më të madhe në ortopedi dhe në repartin internistik.

“Mesatarja e qëndrimit në spital të pacientëve është 4.1 ditë, numri i lindjeve për tre muaj, prej tyre 113 me prerje cezariane” – tha drejtori.

I pakënaqur Bardiqi u shpreh edhe me numrin e CT-ve, 776 të realizuara për tre muaj. Kryesuesi i bordit tha se kjo shifër është nënperformancë, 6 herë më pak se që duhet të jetë.

Ankesat e drejtorit kishin të bëjnë me mungesën e specialistëve si radiologëve, anesteziologëve e dermatologëve. Zarari tha se në disa raste, kur specialistët janë në pushime vjetore, repartet mbyllen, sepse nuk ka të tjerë për t’i zëvendësuar.

Ai përmendi edhe aparaturat e vjetra në laborator dhe në hemodializë. Për ndërtesën e kësaj të fundit, tha se është 72-vjeçare dhe me infrastrukturë të dobët.

Dhoma e aparaturave në repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës Foto: 01.07.2023
Dhoma e zhveshtores për personelin shëndetësor në repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës Foto: 01.07.2023
Dhoma e pacientëve në repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës Foto: 01.07.2023

5 aparate të dializës, Zarari tha se janë në proces të tenderimit, mirëpo tha se procesi është zgjatur pasi që ofertuesi i tretë ka pasur falsifikim të dokumenteve dhe tani lënda është në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi lidhur me këtë rast tha se është dashur që të dërgohej edhe në prokurori.

Nga ato që dëgjoi nga drejtori i Spitalit, Bardiqi tha se në përgjithësi performanca e institucionit është nën nivelin e duhur.

Spitali i Gjakovës ka 94 mjekë specialistë nga 526 punëtorë shëndetësorë gjithsej, 36 shërbyes civilë dhe 83 shërbyes teknikë.

Jeton Zarari mban pozitën e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës që nga 9 qershori i vitit 2022.

Në këtë mbledhje raportoi edhe , Albert Lila, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës, e cila e ka selinë në Gjakovë dhe zëvendësuesi i drejtorit të Qendrës të Shëndetit Mendor në këtë qyetet, Besnik Stuja.

Albert Lila tregoi se më pak se 1.5% të të punësuarve në Kosovë kanë kryer vizitat në mjekësi të punës.

Ndërkaq, Besnik Stuja tregoi se në Qendrën e Shëndetit Mendor janë kryer 800 vizita spitalore dhe 168 jashtë spitalore, në terren për gjatë 3 muajve të parë të vitit.

Kjo qendër ka vetëm një psikiatër, e kur ai është në pushim, Stuja tha se e zëvendësojnë me një psikiatër nga departamenti i psikiatrisë në spital.

Mesatarja e qëndrimit ditor të pacientëve atje është rreth 10-13 ditë.

Një vizitë të tillë, bordi i ri e ka bërë para disa javësh edhe në Spitalin e Mitrovicës, ndërsa në vazhdim është planifikuar të vizitohen edhe spitalet e tjera të përgjithshme.

Qëllimi i vizitave është vlerësimi i përgjithshëm i kushteve të shërbimit shëndetësor, infrastrukturës dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor për pacientët.