Qeveria vendos disa masa të reja për targat ilegale, u jep afat deri më 21 prill 2023

Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të ri për targat, të cilin kryeministri Albin Kurti e ka quajtur vendim që bënë “sekuencimin dhe shkallëzimin e sanksioneve për targat ilegale”.

Vendimi i ri qeveritar parasheh disa masa, të ndara në faza të ndryshme, e që përfundojnë më 21 prill 2023, pas cilës datë, sipas kryeministrit nuk do të lejohet të ketë targa të tjera në Kosovë.

“Duke filluar nga 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj nga 21 nëntor, për 2 muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj, nga 21 janari do të kemi targa provuese për 2 muaj të tjerë. Pas datës 21 prill nuk do të ketë më targa provuese, pasi që nuk mund të ketë targa të tjera në Republikën e Kosovës” – tha kryeministri Kurti para anëtarëve të qeverisë.

Sipas Kurtit, këto masa tregojnë “seriozitetin e qeverisë për ta zbatuar vendimi”, por edhe për, sic e quajti ai, “ndjeshmërinë e shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë”.

“Ne tregojmë seriozitetin tonë që padyshim ta zbatojmë vendimin tonë, por poashtu t’u japim shanse të gjithë atyre që të integrohen. Kjo është një mënyrë edhe për ta zbatuar ligjin por edhe ta kemi përgjigjen tonë për ndjeshmërinë e shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë” – tha tutje kryeministri Kurti.