Shtyhet deri më 1 dhjetor afati për regjistrim të automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR” në RKS

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka marrë vendim për të zgjatur afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 1 dhjetor 2023.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, ky ndryshim vjen si rezultat i kërkesës së madhe të shënuar së fundmi për regjistrim të automjeteve me targa RKS.

Tutje në komunikatë bëhet e ditur se vendim i ri po ashtu parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e automjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës.

Vendimi i parë i Qeverisë për regjistrimin e veturave nuk ishte pritur mirë nga disa qytetarë të komunitetit serb, të cilët kishin protestuar e edhe bllokuar rrugët në komunat në veri të vendit.

Pas krizës së shkaktuar në veri të Kosovës gjatë nëntorit të kaluar lidhur me riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS (Republika e Kosovës), që serbët refuzuan ta bëjnë, më 23 nëntor u arrit një marrëveshje në Bruksel.

Marrëveshja u arrit gjatë takimit të kryenegociatorëve Besnik Bislimi nga Kosova, dhe Petar Petkoviq nga Serbia, me ndërmjetësimin e Mirosllav Lajçak, të dërguarit të posaçëm të bllokut europian për dialogun Kosovë-Serbi.

Serbia, sipas marrëveshjes, u pajtua të heqë dorë nga lëshimi i targave joligjore me akronimet e qyteteve të Kosovës, dhe Kosova u pajtua të largonte vendimin për qortimet dhe gjobat për shoferët me automjete me targa të tilla.