Sveçla: Për katër ditë, 471 vetura me targa ilegale u regjistruan në RKS

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të Qeverisë për regjistrimin e veturave nga targat ilegale në targa RKS, duke regjistruar 471 vetura për katër ditë.

Sipas Sveçlës kjo po ndodhë  “pasi që sot në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq, Llune, Mami, Rusi e të ngjajshëm”.

“Mund të duket e paimagjinueshme nga perspektiva e para një viti, por sot në 4 komunat e veriut shërbejnë zyrtarë policorë që janë në shërbim të rendit dhe ligjit e në luftim të kontrabandës, grupeve kriminale e terroriste”- ka shkruar Sveçla në facebook.

Sipas tij, se shumica e ish-zyrtarëve ishin vetë pjesë e krimit e kontrabandës tregon edhe përfshirja e ish-zyrtarëve policorë jo vetëm në rastin e Banjskës.

“Shteti nuk gjunjëzohet nga banditët e as nga grupet kriminale edhe atëherë kur grupe të mirëorganizuara e mbështetura nga Qeveria e Serbisë synojnë terrorizimin e qytetarëve, cënimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit tonë”- ka shkruar tutje ai.

Tutje ministri Sveçla ka thënë se ky rezultat është falë angazhimit të pandalshëm të secilit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve, shantazheve e sulmeve por besojnë në drejtësi e barazi.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka marrë vendim për të zgjatur afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 1 dhjetor 2023.

Shtyhet deri më 1 dhjetor afati për regjistrim të automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR” në RKS