Albin Kurti, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak - Foto: ZKM

Qeveria tregon se çfarë u diskutua në takimin e Kurtit me Escobarin dhe Lajçakun

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes.

“Diskutuan për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e mëtejmë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështjet aktuale. Në takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes”- thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të raporteve.

“Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Republika e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër”- thuhet në njoftim.

Në këtë takim i dërguari i posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka qenë i shoqëruar nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Escobar pas takimit tha se temë diskutimi në këtë takim ishte zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe plani franko-gjerman, ndërsa tha se diskutuan për nevojën që palët të qëndrojnë të qetë.

“Ne diskutuam për nevojën që të gjithë të qëndrojnë të qetë, nevojën për vazhdimin e dialogut. Ne duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit, e kam bërë shumë të qartë këtë. Shpresoj se do të kemi një zgjidhje shumë afër në të ardhmen në këtë krizë”- tha Escobar.

Ndërsa,  Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se po përpiqen të identifikojmë mënyra si të depërshkallëzojmë situatën pas vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës.

Lajçak për situatën në veri ka thënë se është një situatë e vështirë dhe se tensionet nuk i ndihmojnë askujt.

Ai ka thënë se mënyra më e mirë për heqjen e barrikadave është marrëveshja politike.

Vizita e Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak  në Kosovë vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.