Qeveria po i voton masat e reja kundër COVID-19, Kurti e Latifi mbajnë konferencë për media
Qeveria e Kosovës është duke mbajtur mbledhje elektronike për të vendosur rreth masave të reja kundër COVID-19.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ndërsa në ora 17:00 sot është thirrur konferencë për media, e kryeministrit Albin Kurti, me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, në ndërtesën e Qeverisë.
Masat e reja që pritet të miratohen sot nga ekzekutivi është paralajmëruar se do të hyjnë në fuqi nga nesër (e shtunë).
Lehtësimin e masave kundë pandemisë të enjten e paralajmëroi, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili ka thënë para mediave se kanë vendosur të lehtësojnë masat, në bazë të atyre që kanë qenë në fuqi deri më tani.
“Ato (masat) kanë treguar efekt shumë të mirë. Kështu që ne do t’i lehtësojmë shumicën prej këtyre masave, ne i kemi propozuar sepse Qeveria duhet t’i aprovojë. Hyrja në kufi do të jetë nëse i ka dikush të dyja vaksinat, nëse e ka vetëm një duhet të ketë test. Ora policore është shtyrë deri në 12 të natës dhe fitneset do të hapen”, tha ai.
Ministri shtoi se restorantet do të mund të punojnë deri në ora 11:00.
Masat e fundit të Qeverisë kundër COVID-19 ishin marrë me datën 21 janar.