Albin Kurti, Gabriel Escobar - Foto: ZKM

Qeveria pas takimit Kurti-Escobar: U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në takim është diskutuar për situatën në veri të vendit dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas komunikatës së Qeverisë, gjatë takimit është theksuar se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë.

“U diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës. U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë. Në takim gjithashtu u diskutua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe për rrugën përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”- thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Escobar sot është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.

I dërguar i posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor nuk u deklarua për media pas takimit me Kurtin dhe Osmanin.

Vizita e Gabriel Escobar në Kosovë vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.