Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria miraton dy projektligje - për Shërbimin Korrektues dhe Shërbimin Sprovues

Me propozimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kabineti qeveritar sot ka marrë vendim për miratimin e projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe projektligjit për Shërbimin Sprovues të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se më projektligjin për shërbimin korrektues është duke u propozuar që për herë të parë po propozohet që organizimi i këtij institucioni të rregullohet me ligj të veçantë.

“Kjo do të mundësoj pavarësinë e shërbimit korrektues për funksionimin e gjithmbarshëm të tij dhe synojmë që të bëhet përcaktimi i statusit, parimeve, përgjegjësive, menaxhimi dhe organizimi dhe funksionimi i brendshëm i shërbimit korrektues “, tha Kurti,

Albulena Haxhiu tha se përmes këtij ligji do të mundësohet pavarësia e këtij institucioni.

“Parashihet që SHKK të funksionoj më ligj të veçantë si agjenci ekzekutive në kuadër të MD dhe që ka mandat dhe funksion specifik, ky do të mundësoj pavarësinë e shërbimit korrektues “, tha ajo.

Albin Kurti, kryeministër i vendit tregoi qëllimin e projektligjit për Shërbimin Sprovues të Kosovës.

“Me qëllim të rehabilitimit dhe riintegrimit shoqëror të personave nën mbikëqyrje, parandalimin e veprave penale e uljen e rrezikut për përsëritjen e tyre si dhe kontributin në mbrojtjen e interesit publik është propozuar që shërbimit sprovues t’i rregullohet statusi dhe parimet e përgjithshme”, tha Kurti.

Ndërsa Albulena Haxhiu, ministre e drejtësisë tha se me projektligjin për Shërbimin Sprovues për herë të parë ky institucion do të rregullohet me ligj të veçantë si Agjenci Ekzekutive në kuadër të MD.

“Projektligji adreson zhvillimin e shërbimit sprovues në pikëpamje të avancimit të shërbimeve profesionale për personat e dënuar të cilët janë nën mbikëqyrje si dhe në ngritjen e kapaciteve funksionale dhe operative për të mbikëqyrur rastet brenda fushëveprimit të tyre”, tha ajo.