Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Qeveria merr vendim për plotësim ndryshim të ligjit për KPK-në

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për plotësim ndryshim të ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Para se të filloj mbledhja e qeverisë, Kryeministri Albin Kurti ne fjalimin e tij përmendi këtë vendim duke thënë se tentativa e dytë do të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Ka më shumë se 4 muaj qe kemi në pritje të Gjykatës Kushtetuese për Vetingun, urojmë që kësaj pritje t’i vjen fundi, sepse rruga është e gjatë. Edhe Ligji për byronë mbetet i bllokuar në Gjykatë Kushtetuese sepse është atje që 5 muaj. Sot do të shqyrtojmë projektligjin e ndryshuar për KPK-në në përputhje me akt vendimin e Gjykatës. Në kanë vonuar pak, por ne nuk jemi shpërqendruar aspak” – ka thënë Kurti.

Propozimin para kabinetit qeveritar e ka bërë ministra e Drejtësisë , Albulena Haxhiu.

“Kjo është tentativa e dytë edhe pse ligji i kaluar kishte marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias. Fatkeqësisht Gjykata Kushtetuese e kishte shpallë të pavlefshëm dhe ne kemi analizuar me kujdes vendimin e Kushtetueses dhe kemi adresuar gjetjet kryesore përmes versionit të ri të projektligjit” – ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se propozojnë që anëtarë permanentë të këshillit të jenë 7 anëtarë prej të cilëve, tre prokurorë dhe kryeprokurori i shtetit sipas detyrës zyrtare dhe tre anëtarë prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi.

“Ne propozojmë që anëtarë permanentë të këshillit të jenë 7 anëtarë prej të cilëve, tre prokurorë dhe kryeprokurori i shtetit sipas detyrës zyrtare dhe tre anëtarë prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre duke adresuar gjetjet e Kushtetueses. Pasi që përbërja prej shtatë anëtarëve nuk mund të zbatohet menjëherë marrë parasysh që një pjesë e madhe të anëtarëve të prokurorëve të këshillit, mandati ju skadon tek në vitin 2026 dhe Kushtetuesja i ka vendosë disa limite”- tha Haxhiu.

“Në këtë projektligj propozojmë që në përbërjen aktuale të Këshillit të kemi edhe një numër shtesë të anëtarëve jo prokurorë me mandat të caktuar si zgjidhje e përkohshme deri në vitin 2026 për të bërë që këshilli të funksionojë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Kushtetutën”- shtoi ajo.

Në mars, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.

Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ligji për KPK-në u miratua në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar.

Kushtetuesja rrëzon Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës