Hekuran Murati, Ministër i Financave, Foto: Arta Sopi, KALLXO.COM

Qeveria jep detaje për masën një i punësuar për çdo familje

Ministri i Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati, ka thënë se që nga sot të gjithë punëkërkuesit e interesuar, që nuk kanë asnjë të punësuar në familje, mund të iu drejtohen zyrave rajonale të Agjencisë së Punës, për të aplikuar për këtë masë të Qeverisë.

Të shtunën, kryeministri Albin Kurti prezantoi masën ‘Qeveria për Familjet’, me të cilën synohet që çdo familje në Kosovë të ketë të paktën një të punësuar.

Murati në një konferencë për media të mbajtur sot, tha se Qeveria do të subvencionojë deri në 70% të pagës bruto, maksimumi deri në 300 euro.

“Në kuadër të kësaj, kemi marrë masën ‘Qeveria për Familjet’ e cila do të mundësojë që bizneset që janë të interesuara të punësojnë mbajtës të familjes, të punësojnë dikë që nuk kanë asnjë të punësuar, t’i mbështesim me 70% të pagës bruto, pra subvencionimi do të jetë deri në 300 euro. Paga mund të jetë më e lartë, 400, 500 apo 600 euro, por subvencionimi është 70% e pagës, deri maksimumi 300 euro”, tha Murati para gazetarëve.

Sipas tij, edhe bizneset e interesuar për punëtorë, duhet të paraqiten në Agjencinë e Punës, nëpër zyrat rajonale.

“Ne do t’i publikojmë thirrjet apo kriteret për secilën prej kategorive. Bizneset që duan të punësojnë mbajtës të familjes dhe me anë të kësaj mase të përfitojnë nga subvencionimi i pagës, duhet të lajmërohen në zyret e Agjencisë së Punës dhe të tregojnë për numrin e stafit dhe sa pozita iu duhen, e cilat janë kualifikimet”.

Murati bëri të ditur edhe kriteret që duhet të plotësohen nga punëkërkuesit.

“Punëkërkuesit për të përfituar nga kjo masë, duhet normalisht të jenë të moshës së punës, të mos kenë asnjë anëtar të punësuar, si dhe të regjistrohen si të papunë në Agjencinë e Punës. Duhet të sjellin me vete kopjen e letërnjoftimit, një kopje të diplomës apo të çertifikatën e nivelit më të lartë të studimit, si dhe nëse është e mundur edhe një CV”, deklaroi Murati.

Ministri Murati tha se kjo masë do të vazhdojë sado që të jetë e nevojshme, e sipas tij, qëllimi është që të rritet punësimi në vend dhe të arrihet një mirëqenie më e mirë për qytetarët.

KËTU mund të gjeni adresën e Agjencisë së Punësimit për secilën komunë.

Kurti prezanton masën e qeverisë: Çdo familje së paku një të punësuar (VIDEO)