Qeveria e Kosovës ratifikon marrëveshjet me Shqipërinë

Qeveria e Kosovës ka ratifikuar dy marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë që ishin nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar.

Shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollit të hyrjes/daljes se mallrave dhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë arsyetimin se pse këto marrëveshje duhet të miratohen.

Sipas Muratit marrëveshja për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollit të hyrjes/daljes se mallrave parasheh vendosjen e zyrës doganore Republikës së Kosovës në portin e Durrësit dhe thellon bashkëpunim mes dy vendeve sa u përket procedurave doganore.

“Kjo marrëveshje parasheh një sërë lehtësirash doganore dhe të tregtisë në mes të dy vendeve mes republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Parasheh edhe vendosjen e zyrës doganore të Republikës së Kosovës në zonën doganore në portin e Durrësit dhe të porto Romanos. Gjithashtu thellimin e bashkëpunimit mes të dy vendeve në procedurat doganore dhe kontrollet hyrje daljes së mallrave dhe shkëmbimit të informatave”, tha Murati.

Sipas Muratit marrëveshja është nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që është mbajt më 26 nëntor 2021 dhe sipas tij kjo marrëveshje e përmbush kornizën ligjore në fushën e doganave në përputhje me legjislaturën e Bashkimit Evropian.

Qeveria gjithashtu ka miratuar edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas ministrit Murati ky projektigj parasheh lehtësimin e punësimeve mes dyja vende dhe përafrimin e procedurave në fushën e sigurimeve shoqërore.

“Në kuadër të kësaj marrëveshje parashihen bashkëpunimi në sigurimet shoqërore. Kjo e mundëson që qytetarët e të dyja vendeve të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës e drejta nga Fondi i Kursimit Pensionale, individuale dhe pushimin e lehonisë”, tha Murati.

Sipas ministrit me anë të këtij projektligji Qytetarëve të Kosovës do të ju njihet stazhi i punës.