Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Qeveria e Kosovës del me deklaratë pas dorëheqjes së Thaçit nga posti i presidentit

Qeveria e Kosovës përmes një deklarate ka theksuar se vlerëson se në situatën e re të krijuar pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, kushtetuta dhe ligjet në fuqi garantojnë tranzicion të qartë të ushtrimit të përgjegjësive pa krijuar vakum institucional.

Gjatë kësaj faze, Qeveria e Kosovës thotë së me përkushtim do t’i kryej obligimet dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe do të bashkëpunojë me të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga të gjithë të vazhdojnë të demonstrojnë kulturë të lartë politike”, thuhet në këtë deklaratë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij për krime kundër njerëzimit nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

Pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi, posti i presidentit të Kosovës sipas Kushtetutës përkohësisht duhet të ushtrohet nga Kryetarja e Kuvendit.

Neni 90 i Kushtetutës parasheh se Kryetarja e Kuvendit mund ta ushtrojë këtë pozitë më së shumti 6 muaj.