Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Qeveria dyfishon pagesën për përfituesit e skemës sociale

Qeveria e Kosovës ka dyfishuar pagesën mujore për përfituesit e skemave sociale për muajt nëntor dhe dhjetor të këtij viti.

Gjatë mbledhjes së sotëm të Qeverisë, me propozim të ministrit të Financave, Hekuran Murati, u miratua vendimi që pagesa për muajt nëntor dhe dhjetor 2021, për familjet me asistencë sociale të shkojë nga 130 në 260 euro.

Ministri Murati theksoi gjatë mbledhjes së Qeverisë, se edhe kjo rritje aplikohet si pjesë e masës 3.2 tё Pakos sё Ringjalljes Ekonomike, mbështetja për pensionistë dhe familjet me asistencë sociale.

“Për ta sqaruar, nëse para qeverisjes sonë një familje ka marrë 100 euro, si asistencë social me ardhjen tonë ndihma sociale është rritur në 30%, që i bie se ka marrë 130 euro. Kurse më këtë dyfishim me rritje do të jetë 260 euro. Pra, nëse një familje në kushte normale do të merrte 100 euro, tani do të marrë 260 euro”, ka thënë ministri Hekuran Murati.

Sipas ministrit janë rreth 26 mijë familje që do të përfitojnë nga kjo masë.