Foto: KALLXO.com

Punimet e papërfunduara afër shkollës, konsiderohen rrezik për fëmijët në ‘Ulpianë’ të Prishtinës

Mospërfundimi i punimeve për vendosjen e sinjalistikës në afërsi të vendkalimit të këmbësorëve që gjendet afër shkollës fillore “Hasan Prishtina” në kryeqytet, po konsiderohet i rrezikshëm për fëmijët e lagjes “Ulpiana”.

Rreth zonës, tek udhëkryqi i rrugës “Zija Shemsiu” dhe rrugës “Mark Dizdari”, janë vendosur edhe disa shufra metalike, që sipas prindërve janë rrezik i dyfishtë për nxënësit.

Foto: KALLXO.com

Mihanë Nartilë-Salihu Bala, prind dhe mësuese në shkollën fillore “Hasan Prishtina” thotë se këto punime kanë filluar që nga shtatori i vitit të kaluar.

“Disa nxënës, prindër dhe banor të lagjes i kanë vendosur ca shishe plastike, por ato shpesh largohen edhe nga vetë fëmijët e vegjël të shkollës. Në vlugun e mes ndërrimeve të mësimit këtu pranë këtyre shufrave ecin e vrapojnë me qindra nxënës/shkollar dhe kjo paraqet rrezik. E kështu është që nga fund shtatori i vitit 2022″- tha ajo për KALLXO.com.

Salihu Bala, njëkohësisht edhe banore e kësaj lagjeje thekson rrezikun që mund të kenë fëmijët si pasojë e vendosjes së këtyre shufrave.

“Fillimisht ato janë të vendosura afër hyrjes të nxënësve në shkollë. Shufrat e hekurit janë rrezik potencial sepse ato janë diku 1 metër dhe një fëmijë i moshës 6-7 vjeç mundet mu rreziku direkt në fytyrë ose në pjesë të tjera të trupit. Shkolla ka më shumë se 2,500 nxënës dhe po supozojmë se diku 2,000 kalojnë aty dhe rreziku është shumë i madh”-tha ajo.

Mësuesja thotë se këtë ankesë e ka adresuar fillimisht tek Drejtoria dhe Këshilli i Prindërve në nivel të shkollës.

“Unë si përfaqësuese e prindërve në klasën e time iu kam drejtuar Drejtorisë dhe Këshillit të prindërve në nivel të shkollës. Më është përcjellë gojarisht se ata e kanë adresu këtë çështje edhe më herët me DKA-në por unë ndonjë letër zyrtare apo përgjigje zyrtare prej tyre për këtë denoncim nuk kam”- tha ajo.

Në anën tjetër, Sektori i Mobilitetit në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar se nuk kanë marrë  ankesa nga qytetarët, kurse zgjidhja për këtë çështje varet nga kompania e kontraktuar për punimet.

“Nuk kemi marrë ankesa nga qytetarët lidhur me lokacionet në fjalë, kurse për zgjidhjen e përfundimit të këtyre pikave jemi në pritje të furnizimit nga operatori ekonomik”- thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, ata tregojnë se kur ka nisur ky projekt, ndërsa për përfundim nuk japin një datë të caktuar.

“Projekti është nënshkruar në muajin 06.09.2022 ku pas përcaktimit të lokacioneve dhe definimit të materialeve me datë 12.10.2022 është bërë porosia të cilat nuk prodhohen në Kosovë. OE ka filluar me punimin e bazamenteve dhe pas përmirësimit të kushteve atmosferike OE ka filluar me montimin e shtyllave ku priten edhe materialet tjera për përfundim”.

“OE sigurimin e ekzekutimit të projektit e ka valid deri në muajin tetor porosia është bërë brenda kontratës ku sipas OE pritet të furnizohen panelet ndriçuese në këto lokacione dhe të përforcohet ankerimi në bazamente”- përfunduan ata.

Ndërkaq, nga Zyra për Media dhe Komunikim, në Komunën e Prishtinës, Arbëresha Fazliu, ka thënë se Drejtoria e Arsimit nuk ka pranuar ndonjë ankesë për gjendjen afër shkollës.

“Sipas Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, ata nuk ka pranuar ankesë për dukurinë në fjalë”- ka thënë ajo.

Ndërsa ajo shtoi do të dalin nesër (e enjte) në terren dhe do ta shqyrtojnë këtë çështje.

Foto: KALLXO.com