Policia/Ilustrim

Punëtori në stacionin e policisë në Lipjan dyshohet se tentoi të godiste me veturë një këmbësor

Një punonjës i Policisë së Kosovës, në Stacionin Policor në Lipjan është suspenduar pasi po dyshohet se tentoi të godiste një këmbësor me veturë.

I dyshuari punon si staf civil në stacion policor dhe me këmbësorin kishin pasur disa probleme për një kontest pronësor.

Burime të KALLXO.com brenda policisë thonë se i dyshuari  ka tentuar ta godiste me veturë viktimën derisa ai kishte qenë duke ngasur një biçikletë.

Inspektorati Policor i Kosovës për KALLXO.com ka thënë se menjëherë pas informatave kanë arrestuar të dyshuarin.

I njëjti është arrestuar tri ditë më parë dhe me vendim të prokurorit ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, stafi civil është suspenduar”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

IPK ka thënë se hetuesit në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.