Prishtina

Punët që u kryen në Prishtinë gjatë vitit 2020

Komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti po hyn në vitin e fundit të qeverisjes së mandatit të dytë në kryeqytet.

Situata me të cilën u përballën të gjithë gjatë vitit 2020, la gjurmë edhe në qeverisjen lokale dhe projektet e planifikuara për këtë vit.

Komuna e Prishtinës vitin që lam pas pati buxhet prej 91 milionë euro.

Komuna ka pasur në dispozicion rreth 28 milionë euro për investime kapitale, kurse ka arritur të shpenzoj afër 10 milionë.

Komuna këtë e arsyetoi kryesisht me pasojat e pandemisë, ku prokurimi ka qenë i ndalur për disa muaj.

Gjatë vitit 2020, komuna mbajti shtatë dëgjime publike, prej tyre vetëm dy kanë qenë të hapura, tjerat si shkak i pandemisë u mbajtën përmes platformës Zoom.

Komuna e Prishtinës

Nga ajo çfarë është parë mund të thuhet se Komuna pjesën e parë të vitit 2020 e ka fokusuar në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Pothujase e gjithë procedura e prokurimit ka pasur fokus furnizimin me mjete për dezinfektim.

Por, gjatë kohës sa vendi ka qenë në mbyllje totale si shkak i pandemisë, filluan edhe punime në shumë rrugë, kontrata të cilat ishin dhënë para se të merrte shtrirje pandemia.

Me pak fjalë, viti 2020 ka qenë i përqendruar në rikonstruktim të rrugëve dhe menaxhim të pandemisë.

Projektet infrastrukturore:

Ndër projektet që vlen të përmenden si punë të vitit 2020 në kryeqytet është plani i mobilitetit i cili përfshinte funksionalizimin e ndërmarrjes “Prishtina Parking”, këto parkingje nuk kanë përfunduar ende por një pjesë prej tyre tashmë janë funksionalizuar.

Parkingu Nëntokësor – FOTO – Urim Krasniqi – KALLXO

Këto zona parkimi Prishtina i ndau në tre zona, kurse çmimet variojnë në bazë të zonës ku ndodhen.

Përpos ndërmarrjes “Prishtina Parking”, edhe pse me vonesë, këtë vit kanë filluar punimet për parkingun nëntokësor tek Fakulteti Filologjik, i cili pritet të shkarkojë ngarkesën e madhe të veturave në qendër të qytetit.

Si pjesë e planit të mobilitetit, komuna bëri edhe vendosjen e pritoreve të reja nëpër qytet, të cilat janë të pajisura me panel informues dhe wi-fi, vendosja e tyre nuk ka përfunduar ende por ka filluar në vitin 2020.

Prishtina ka punuar edhe në shumë projekte infrastrukturore, por që jo të gjitha u duartrokitën, këtu hyjnë edhe shtigjet e çiklizmit.

Komuna ka në plan që të shtrojë mbi 30 kilometra shtigje çiklizmi, vitin që lam pas, kanë përfunduar disa prej tyre, si në lagjen “Dardania” dhe rrugën “Agim Ramadani”, lidhur me to, ka pasur shumë kritika për ngushtim të trotuareve dhe ngarkesë të rrugëve.

Projekt tjetër infrastrukturor ishte edhe rikonstruktimi i rrugëve në lagjen “Pejton”, cili ka më shumë se një vit që ka filluar dhe nuk ka përfunduar ende.

Për këto vonesa, Komuna lë fajin te kushtet atmosferike, pandemia, dhe punët e e pa planifikuara që dolën më vonë.

Gjatë vitit 2020 Prishtina gjithashtu lidhi kontratë rreth 20 milionë euro me KEDS për futjen e kabllove të rrymës në tokë, në pjesët ku ka ngarkesë, këtu bënë pjesë edhe punimet në lagjen “Pejton”.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, komuna ka filluar vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet, deri tani janë vënë vetëm në qendër, kurse është premtuar se deri në fund të mandatit do pajisen gjitha zonat urbane dhe rurale.

Prishtina

Komuna ka ndërtuar edhe bazën e monumentit ‘Newborn”, punime të cilat përfunduan me vonesë.

Projekte tjera infrastrukturore janë edhe ndërtimi i disa fushave sportive, ndër to edhe ajo në lagjen “Arbëria”.

Fusha e Arsimit

Sa i përket fushës së arsimit, Komuna ka vënë në funksion dy çerdhe publike “Milingonat” dhe “Cicërimat”, kurse premtimi ka qenë që gjatë këtij mandati të ndërtohen pesë shkolla nëpër lagje ku ka nevojë. Deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Komuna gjatë vitit 2020 bëri hartimin e platformës e-shkollori, e cila shërbeu për notim dhe mbajtje të mësimeve në formë elektronike.

Kurse në fund të muajit dhjetor, Prishtina filloi t’i pajisë me internet të gjitha hapësirat e objekteve shkollore në qytet.

Fusha e Shëndetësisë

Sa i përket shëndetësisë, në vitin 2020 Komuna bëri digjitalizimin e institucioneve shëndetësore, por edhe fokusi për furnizim me mjete ka qenë më i madh, kjo si shkak i pandemisë COVID-19.

Gjatë vitit 2020 ka filluar renovimi i institucioneve shëndetësore, duke filluar me atë në Ulpianë, dhe renovimi i qendrës së mjekësisë urgjente.

Komuna e Prishtinës është e para që filloi kryerjen e testeve serologjike falas për qytetarë.

Gjithashtu edhe filloi iniciativën për një grant prej 50 euro për qytetarë të prekur me COVID-19.

Komuna poashtu hartoi ndërtimin e një Qendre të mjekësisë familjare në lagjen “Veternik”

Siguria dhe Mirëqenia

Një ndër problemet permanente të qytetit është menaxhimi i qenve endacak, për këtë komuna pati premtuar ndërtimin e një strehimoreje në Hajvali por deri tani nuk ka diçka në teren, mirëpo, komuna në fillim të këtij viti filloi projektin për pikat ushqyese për qentë endacak në pesë pika të ndryshme nëpër qytet.

Nuk mund të thuhet se ky projekt tregoi shumë sukses pasi pothuajse çdo ditë raportohet për sulme nga qenë endacakë nëpër zona të ndryshme të qytetit.

Gjatë periudhës sa vendi ishte në mbyllje totale si shkak i pandemisë COVID-19, komuna ka dhuruar shumë mjete për fëmijë të cilët nuk mund të ndiqnin mësimet në formë elektronike, madje deri vonë Prishtina u konsiderua si komuna që po e menaxhonte më së miri situatën e krijuar.

Përpos mjeteve për fëmijë, edhe Kuzhina Popullore në kryeqytet bëri shpërndaje të ushqimit dy herë në ditë për personat në nevojë.

Turizmi

Në këtë fushë nuk është se pati ndonjë vëmendje të veqantë, megjithatë, gjatë vitit 2020, komuna bëri vendosjen e platformave informuese turistike nëpër qytet.

Arti dhe kultura

Në fushën e artit, komuna shpalli konkurs ndërkombëtar për rehabilitim e ish objektit “Gërmia”, e cila do shndërrohet në sallë koncertale, për të cilën është folur shumë kohë.

Prishtina është i vetmi kryeqytet në rajon që nuk e ka një sallë të duhur koncertale dhe një projekt i tillë është më se i nevojshëm për fushën kulturore.

Për fund, tash e disa vite radhazi Prishtina organzion festivalin e “artit në rrugë”, edhe në vitin 2020 shumë artistë nga vende të ndryshme pasuruan qytetin me art të llojllojshëm nëpër murale të ndryshme të qytetit, ku theks i veçantë mund t’i jepet artit në urën “Arda Rei” dhe atij në “Trafo” qe ishte bashkëpunim me KEDS.

Përpos këtij lloj arti, Prishtina ka bërë edhe ngjyrosjen e disa fushave sportive, që e bëjnë të duket më unike dhe atraktive.

Kjo ishte vetëm një përmbledhje e përgjithshme e disa prej projekteve më të mëdha që u bënë gjatë vitit 2020, kurse qyteti ka edhe shumë probleme të tjera me të cilat do i duhet të përballet viteve në vijim.

Më poshtë keni hulumtimin e bërë nga KALLXO.com për premtimet e Shpend Ahmetit gjatë këtij mandati dhe sa prej tyre janë realizuar.

Premtimet e mëdha të Shpend Ahmetit ende veç në letër