Shpallet konkursi për adaptimin e objektit të Gërmisë në Sallë Koncertale

Sot është shpallur konkursi për adaptimin e objektit të Gërmisë si Sallë Koncertale në Prishtinë.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se ky konkurs ndërkombëtar pritet të hapet javën e ardhshme.

“Kjo është nevojë e kahmotshme e Prishtinës për t’u mbajtur aktivitete muzikore në një sallë koncertale”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se kanë blerë dy prona me procesin e privatizimit dhe do ta paguajnë 20% më pak.

“Ne kemi vendosur që ta hapim konkursin për ta adaptuar këtë objekt”, tha Ahmeti.

Ahmeti  tha se konkursi është ndërkombëtar hapet javën e ardhshme dhe kanë të drejtë të aplikojnë arkitektë vendor dhe ndërkombëtar.

Konkursi do të jetë i hapur për 75 ditë.

“ Ne e kemi idenë që krativitetin nuk do e kufizojmë, po ndërtesën do e ruajmë”, tha Ahmeti.

Sipas tij, konkursi do të hapet për dy salla. Aty parashihen dy salla. Salla e madhe dhe salla e vogël.

Ahmeti tha se komuna i ka ndarë 150 mijë euro për këtë konkurs për tri shpërblime dhe shpenzimet.

Ai tha se për dy vite pritet të kemi këtë sallë koncertale, e cila do të jetë e dinjitetshme për mbajtjen e aktiviteteve kulturore.

Shpend Ahmeti në muajin shtator kishte thënë se përgjatë shtatorit do t’i shpallin konkurset ndërkombëtare arkitektonike për tri projekte për Prishtinën.

Tri konkurset të cilat priten të hapen janë për projektet: Salla Koncertale e Kryeqytetit – adaptim duke ruajtur  identitetin e ndërtesës ekzistuese Gërmia, Salla e re të Sporteve me kapacitet 3000 – 5000 ulëse dhe  Shkolla e Muzikës – adaptimi dhe renovimi i pjesës kulturore të Pallatit të Rinisë ku do të jetë e vendosur Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”.

Shoqata e Arkitektëve të Kosovës konsideroi sa duhet një studim i hollësishëm i lokacionit.

Sipas Shoqatës nuk mund të shndërrohet në Sallë Koncertale ish- Shtëpia e Mallrave ‘Gërmia’.

Sipas Shoqatës së Arkitektëve vetëm me anë të rrënimit mund të bëhet një sallë bashkëkohore me standarde për atë lloj objekti.

Në vitin 2019 ishin ngritur shumë zëra lidhur me rrënimin e objektit të “Gërmisë”, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një objekti të ri për Sallën Koncertale.

Këshilli Ndërkombëtar për Monumente dhe Lokalitete (ICOMOS) u  kishte bërë apel institucioneve kosovare që të ruajnë objektin e ish- ndërmarrjes tregtare “Gërmia”.

ICOMS kishte kërkuar nga autoritetet përkatëse në Kosovë që të ndalin planet për demolimin e Gërmisë dhe të kërkojnë dialog dhe këshilla nga ICOMOS, Docomomo Kosova dhe organet e tjera të ekspertëve për mënyrën më të mirë për të ecur përpara.

Objektit i “Gërmisë” ka statusin e përkohshëm të mbrojtjes.

Në vitin 2018, Qeveria nën udhëheqjen e ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte  vendosur që të blejë këtë objekt nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, ndërsa objekti do t’i takonte komunës së Prishtinës.

Haradinaj kishte thënë se pas shumë diskutimeve objekti më adekuat është objekti i Gërmisë, dhe se ata marrim obligim që aspektet e vlerës së trashëgimisë kulturore të ruhen, por dedikimi i objektit ndërron në mënyrë që të thithet ky donacion që është nga 11 deri në 15 milionë euro.